Aplikacione

Aplikacioni Truth Social i Trump-it lancohet te App Store-i


Sipërmarrja më e re e mediave sociale në pronësi të ish-presidentit amerikan Donald Trump, Truth Social, ka nisur funksionimin te App Store-i i Apple-it.

Përpos hapjes së vet medias sociale, Truth Social shënon edhe rikthimin e Trump-it në mjedisin online pas ndalimit nga disa platforma vitin e kaluar.

Agjencia e lajmeve, “Reuters”, tregon se aplikacioni tanimë është i disponueshëm dhe për t’u shkarkuar dhe automatikisht ai bëhet pjesë  e pajisjeve Apple.

Nga raportimet e para ka dalë se disa përdorues kanë pasur probleme me regjistrimin për një llogari. Kurse të tjerë janë shtuar në një listë pritjeje.

Kjo ka ndodhur përmes një mesazhi që thoshte se për shkak të kërkesës masive, përdoruesi në fjalë është vendosur në atë listë të pritjes.

Media e re sociale vjen pasi Trump-i u ndalua nga Twitter-i, Facebook-u dhe YouTube-i pas sulmit të 6 janarit 2021 në Capitol të Shteteve të Bashkuara të Amerikës nga mbështetësit e tij.

Diçka që solli më pas akuzat ndaj tij për postime me përmbajtje nxitëse të dhunës.

Kjo sipërmarrje i bashkohet një portofoli në rritje të kompanive teknologjike që po pozicionohen si kampionë të fjalës së lirë.

Por deri më tani, asnjë nga kompanitë e reja nuk ka arritur të përputhet me popullaritetin e homologëve.

Sakaq, kompania mëmë e aplikacionit mbetet kryesisht në fshehtësi dhe konsiderohet me skepticizëm në qarqet teknologjike dhe mediatike.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore