Shqipëria

Apeli ndryshon relatorin e çështjes për PD-në


Gjykata e Apelit të Tiranës ka ndryshuar relatorin për çështjen e Partisë Demokratike (PD), lidhur me regjistrimin në gjykatë të statutit të korrikut 2021.

Sipas burimeve, relator i çështjes nuk do të jetë Gent Shala, por Irida Kacerja.

Më 17 maj, Apeli caktoi gjyqtare Elona Toro, gjyqtar Genti Shala dhe gjyqtare Edlira Petri për të shqyrtuar kërkesën e Ivi Kasos, që Enkelejd Alibeaj të mos bëhet palë në PD.

Çfarë ka ndodhur?

Përfaqësuesi ligjor i Komisionit të Rithemelimit, Ivi Kaso, e ka konsideruar nul vendimin e dhënë nga Gjykata e Tiranës për të njohur si ankimimin e kreut të grupit parlamentar të PD-së, Enkelejd Alibeaj, ndaj vendimit të gjyqtarit, Agron Zhukri, që mandatoi Komisionin e Rithemelimit si organi drejtues i PD-së.

“Në radhë të parë dua të sqaroj se, ndryshe nga sa është sqaruar në disa media dhe portale, Gjykata e Apelit nuk ka vendosur prishjen e vendimit të gjyqtarit Zhukri, por është pranuar ankimi nga një palë që pretendon që përfaqëson Partinë Demokratike”, tha Kaso.

Më 25 mars, Alibeaj, fill pas vendimit të njohjes nga gjykata të ndryshimeve statutore të dala nga Kuvendi Kombëtar i PD-së më 11 dhjetor – i thirrur nga ish-lideri Sali Berisha – deklaroi se, siç parashikon ligji, do ta ankimojnë këtë vendim.

Duke e cilësuar si një vendim në nivelet e skandalit, Alibeaj bëri të ditur se do të ketë kallëzim penal për gjyqtarin Agron Zhukri.

Ky i fundit, sipas tij, ka nxjerrë një vendim pa dosje e fakte dhe pa patur palët.

Sipas tij, që një vendim të ketë efekt, palët duhet të jenë prezentë dhe kjo u është mohuar nga gjykata.

Sakaq, ai ka vijuar se dosjet janë në Gjykatën e Apelit dhe, për rrjedhojë, gjyqtari, sipas tij nuk i ka poseduar këto prova.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore