Shqipëria

Apeli i Posaçëm shqyrton rikthimin në qeli të Alqi Bllakos


Ish-deputeti i Partisë Socialiste, Alqi Bllako është paraqitur të martën e 9 nëntorit në Gjykatën e Posaçme të Apelit.

Apeli i Posaçëm pranoi më herët kërkesën e Prokurorisë së Posaçme (SPAK) për rikthimin në qeli të Bllakos.

SPAK kërkoi rikthimin e masës së sigurisë ndaj ish-deputetit Alqi Bllako, pasi Gjykata vendosi zëvendësimin e masës së sigurisë për Bllakon nga arrest me burg në arrest shtëpie.

Arsyetimi i Gjykatës ishte kujdesi për tre fëmijët e mitur.

Kjo pasi gjendja e familjes së tij është “e rënduar dhe pa përkujdesje, sepse bashkëshortja e Bllakos është e punësuar dhe lëviz nëpër rrethe”.

Bllako u arrestua me kërkesë të SPAK-ut më 1 prill, pasi hoqi dorë nga mandati i deputetit që i jepte mbrojtje ligjore.

Ish-deputeti akuzohet për veprën penale “shpërdorim detyre” gjatë kohës që mbante postin e këshilltarit në Ministrinë e Mjedisit.

SPAK-u e ka akuzuar Alqi Bllakon se, në bashkëpunim me Lefter Kokën dhe zyrtarë vendorë në Fier, kanë falsifikuar dokumentet dhe kanë ndryshuar destinacionin e pronës ku do të ndërtohej inceneratori.

Sipas Prokurorisë, ish-deputeti Bllako ka favorizuar kompaninë fituese të inceneratorit të Fierit dhe ka marrë si ryshfet shumën prej 14.9 milionë lekësh në formën e pagesave që janë kaluar për llogari të babait të tij, Edmond Bllako.

Disa ditë më parë, kjo Gjykatë theksoi se duhet të vijohet zbatimi i masës arrest me burg edhe për ish-ministrin e Mjedisit, Lefter Koka.

Ky i fundit dyshohet për kryerjen e veprave penale “Shpërdorimi i detyrës”, në bashkëpunim, “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”, kryer në rrethanën cilësuese “në bashkëpunim”

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore