Kosova

Apeli e anulon dënimin me burgim të përjetshëm kundër Nuhi Mavrovqani për vrasjen e gruas me shufër metalike


I akuzuari Nuhi Mavrovqani

Gjykata e Apelit e ka anuluar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Gjilan të vitit të kaluar, me të cilin i akuzuari Nuhi Mavrovqani është dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e gruas së tij me shufër metalike.

Apeli përmes një komunikate për media ka bërë të ditur  se është aprovuar ankesa e mbrojtësit të të akuzuarit dhe rasti është kthyer në rivendosje në shkallë të parë.

“Gjykata e Apelit ka konstatuar se aktgjykimi në fjalë, është përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, ngase nuk është përpiluar në pajtim më dispozitat ligjore. Në fakt nuk janë dhënë arsyet në të cilat është bazuar, më rastin e zgjedhjes se çështjes juridike, veçanërisht më rastin e vërtetimit të përgjegjësisë penale të akuzuarit, si dhe me rastin e zbatimit të dispozitave të caktuara të ligjit penal, ndaj të akuzuarit dhe veprës se tij.”, thuhet në komunikatën e Apelit.

I akuzuari e kishte pranuar fajësinë për veprën që i vihet në barrë.

Vitin e kaluar Prokuroria Themelore në Gjilan, kishte ngritur aktakuzë ndaj Nuhi Mavrovqanit për veprën penale “vrasje të rëndë”.

Sipas aktakuzës, ai e kishte vrarë gruan e tij me dashje me shufër metalike duke e goditur në kokë për shkak të mosmarrëveshjeve të vazhdueshme familjare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore