Lajme

AP intervistë me Bojan Pozar, gazetarin që raportoi se paratë e Martin Berishajt përfunduan “në rrethin e ngushtë të Kurtit, me dijeninë e BIA-s serbe”


Foto nga Albanian Post

Një pjesë të parave që Martin Berishaj i ka marrë nga kompania energjetike GEN-I, dega në Beograd, ia ka sjellur rrethit të ngushtë të Albin Kurtit në Kosovë.

Kështu shkruan gazetari veteran slloven Bojan Pozar, udhëheqës i emisionit politik “Ura moči” (“Ora e Fuqisë”) në TV Planet dhe themeluesi i mediumit informativ-politik me parapagim “Pozareport”.

Albanian Post ka kontaktuar me Pozar-in, me të cilin AP kishte realizuar edhe një intervistë në kohën kur shpërtheu skandali i ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.

“Martin Berishaj është akteri kryesor i këtij rrëfimi” – Intervistë ekskluzive e Albanian Post me producentin e TV Planet, media që zbuloi skandalin financiar në Slloveni

Pozar ka treguar për AP se ka informacione të cilat thonë se një pjesë nga 600 mijë eurot që Berishaj i mori nga kompania sllovene e Energjisë Elektrike GEN-I, dega në Beograd, kanë përfunduar në Kosovë, në qarqe të afërta me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti.

“Një pjesë e parave të degës së Beogradit thuhet se kanë ardhur në atë kohë në Kosovë, në rrethin e ngusht të kryeministrit Albin Kurti”, tregon Pozar.

Por, nuk përfundon gjithçka këtu.

Sipas Pozar – një nga gazetarët dhe producentët më të famshëm në Slloveni – shërbimin i inteligjencës serbe kishte ditur për këto transaksione dhe adresën e tyre.

“Agjencia e Inteligjencës së Sigurisë, shërbimi informativ serb BIA thuhet se e ka ditur”, thotë Pozar.

Kur fillimisht plasi skandali ekskluzivisht në televizionin slloven TV Planet, në prill të këtij viti para zgjedhjeve në Slloveni dhe garës së ngushtë mes Janez Jansha dhe Robert Golob, një pjesë e mediave atje kishte refuzuar të merrej me informacionin, duke e konsideruar si luftë politike parazgjedhore.

Më pas Golob fitoi zgjedhjet dhe mposhti Janshan, derisa në Kosovë ambasadori Berishaj u mbrojt nga Presidentja e shtetit dhe Ministrja e Punëve të Jashtme.

Vjosa Osmani e Donika Gërvalla thanë se i besojnë plotësisht Berishajt dhe pastërtisë së tij.

Më vonë, siç do të pranohej edhe nga vetë Berishaj që raportoi para Komisionit Parlamentar, u kuptua se ai ishte pronar i kompanisë MB Consulting, se ka pranuar paratë nga GEN-I dega në Beograd dhe se ishte i angazhuar për konsulencë nga kjo kompani, përkundër se ai nuk është njohës i fushës së energjisë.

I pyetur se ç’i hynë në punë këshillat e një profesori të Shkencave Politike një kompanie që merret me tregti energjie, Berishaj kishte përgatitur një përgjigje që nuk sqaron asgjë.

Pra ashtu siç ju thash, Kompania GEN-I është një prej kompanive më prestigjioze në Evropë për tregtim të energjisë. Dhe ajo kompani i ka marrë njerëzit të cilët… si këshilltar, natyrisht unë marrëveshjen me ta, poqë se ata arrijnë në bursa në bazë të informacioneve, informacioneve… cili është informacioni, supozojmë informacioni është që…”, thoshte Berishaj.

El Profesor Martin Berishaj – erdhi, konfirmoi pothuajse gjithçka, shkoi

Por, derisa në Kosovë me intervistimin e Berishajt u duk se mori fund përfolja e këtij rasti, në Slloveni veçse ka filluar të marrë përmasa edhe më të mëdha mediatike.

E gjitha pas hetimeve të organeve të rendit atje dhe dorëheqjes së Ministres së Punëve të Brendshme Tatjana Bobnar nga qeveria e Robert Golob.

Sipas Pozar, Bobnar, ish-punonjëse në forcat e rendit në Slloveni, ka hetuar këtë rast dhe ka dorëzuar materiale në Prokurorinë e Shtetit.

“I gjithë dokumentacioni policor lidhur me këtë hetim thuhet se është dorëzuar nga ministrja e Brendshme në dorëheqje, Tatjana Bobnar, në Prokurorinë e Shtetit”, thotë ai.

Sipas artikullit që e ka publikuar Pozar në “Pozareport”, “disa burime vlerësojnë se Golob do ta ketë shumë të vështirë të ndalojë këtë hetim edhe nëse zëvendëson shpejt ‘gjysmën e policisë’”.

“Hetimi kundër GEN-I dhe Robert Golob, i drejtuar nga Zyra e Prokurorit të Shtetit, konfirmon të paktën dy gjëra: Që zbulimet mediatike të publikuara para zgjedhjeve parlamentare të prillit 2022 nuk kishin të bënin me ndonjë diskreditim të kryeministrit aktual dhe të Lëvizjes për Liri, por për punë serioze gazetareske”, shkruan Pozar dhe së dyti: “Këto afera në vendin tonë u zhdukën për mrekulli brenda natës, pas zgjedhjeve të prillit, vetëm sepse mediat nuk raportonin për to, por, siç paralajmëruam atëherë në Orën e Fuqisë në Planet TV, ato nuk u zhdukën nga dosjet e strukturave të inteligjencës-policore”.

Pozar edhe me 23 prill kur kishte dhënë intervistë për Albanian Post, pati deklaruar se “ai (Martin Berishaj) është akteri kryesor i këtij rrëfimi”.

“Ai është themeluesi i ndërmarrjes të lartpërmendur (MB Consulting), ai ka pranuar paratë dhe ai ka transferuar paratë tutje”, tregonte Pozar.

TV Planet publikoi dokumente ku tregohet se është bërë një bartje e parave nga kompania energjetike GEN-I, dega në Beograd për në kompaninë e ambasadorit të Kosovës, Martin Berishaj, MB Consulting dhe më pas ai i ka tërhequr partë dhe dërguar në Slloveni te politikani Robert Golob i cili më pas i ka dërguar në një burs në Itali.

Pozar atëherë pati treguar se në kohën kur ndodhi e gjithë kjo, “Robert Golobi ka qenë Kryetar i Bordit të ndërmarrjes shtetërore energjetike sllovene. Më vonë supozohet se këto para Robert Golobi i ka investuar në disa fonde financiare italiane, të cilat ua mundësojnë investitorëve anonimitetin”.

Historia e skandalit dhe reagimet në Kosovë

Media sllovene TV Planet raportoi se një kompani energjetike ballkanike GEN-I, dega në Serbi, i transferonte para kompanisë MB Consulting, pronar i së cilës është Martin Berishaj. Ky i tërhiqte paratë nga xhirollogaritë dhe në kesh ia dorëzonte Golob-it.

Berishaj ishte deklarua vetëm në Facebook atëherë. Pati mohuar se kishte të bënte me shpëlarje parash, por nuk mohoi se është pronar i kompanisë malazeze dhe gjithashtu nuk mohoi pagesat nga kompania e energjisë elektrike GEN-I, dega në Serbi.

“Pavarësisht nga fushata parazgjedhore në Slloveni dhe ballafaqimi i fundit i mbrëmshëm në mes akterëve kryesorë politik, i z. Jansha dhe z. Golob, ku u mohua shkrimi i Planet TV lidhur me emrin tim, nga sot, padia ime kundër portalit në fjalë, hap rrugë për fjalën e fundit gjykatës”, tha Berishaj në Facebook.

Në të kaluarën, para se të futej në politikë, Golob ishte drejtor i kompanisë së njëjtë në Slloveni.

GEN-I është kompania më e madhe në Ballkan për energji elektrike. Ka dyshime që është e përfshirë me elektro-mafian serbe.

Albanian Post më vonë kishte kuptuar se ekzistojnë edhe dy kompani në Kosovë që pronarë kanë Martin Berishajn. Bëhet fjalë për kompanitë “Myloja L.L.C.” dhe “Zaslon Kosova L.L.C”.

Berishaj në këto kompani kishte partnerë sllovenë, edhe ata të dyshuar për dallavere në të kaluarën në Slloveni.

Presidentja e Kosovës një herë, e pyetur nga gazetarët tha se i “besojmë ambasadorit tonë” në pafajësinë e tij.

Më vonë, presidenca lëshoi një komunikatë zyrtare, ku thuhej se e kanë thirrur ambasadorin të vijë në Kosovë dhe të raportojë për këtë rast.

Qysh nga atëherë nuk u kuptua nëse Berishaj kishte ardhur për të raportuar para presidentes, apo jo.

Albanian Post pati realizuar edhe një intervistë me gazetarin slloven, Primoz Cirman. Ai tha se skandalin e fabrikoi Janez Jansha (kryeministri aktual i Sllovenisë), ndërsa Berishaj ishte miku i tij, por atë e sakrifikuan duke e bërë pjesë të skandalit që të përfitonin për vete.

Cirman pohoi se “sipas burimeve tona, baza e këtyre informacioneve është se zotëri Berishaj ishte ndërmjetës për kompaninë GEN-i për tregti në Kosovë dhe Shqipëri. Ishte një ndërmjetës lokal edhe ishte paguar me një shumë, apo komision, varësisht nga sasia që kishte shitur kompania. Pse e përmend këtë kompani tani, sepse kjo kompani udhëhiqej nga Golob që tash është kandidat për kryeministër dhe tani është duke udhëhequr sipas sondazheve dhe duket se ka shanse të mëdha të formojë një koalicion qeveritar dhe Golob të bëhet kryeministër. Ky pra është konteksti”.

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, kishte publikuar në llogarinë e tij në Facebook një status, ku thoshte se “duhet të jemi të kujdesshëm ndaj pretendimeve që përveçse janë mohuar nga ambasadori po bëhen në kuadër të një gare elektorale në një vend tjetër”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se ai mendon njëjtë siç e ka dhënë komentin zëdhënësi i Qeverisë dhe nuk u përgjigj në pyetjen se “a duhet të shkarkohet Berishaj?”.

Portali inFokus publikoi më pas një shkrim, ku tregohej se si Kompania GEN-I me zyrë në Beograd, me të cilën u përfshi emri i ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, ka marrë miliona euro nga buxheti i shtetit, pikërisht në kohën e kolapsit energjetik.

Partia Demokratike e Kosovës doli me një deklaratë për media ku thanë se kanë ditur diçka rreth këtij skandali, por nuk e besonin se kishte zyrtarë të lartë të Kosovës kaq thellë të përfshirë.

Thanë se kjo është arsyeja përse Lëvizja Vetëvendosje nuk po lejon themelimin e një komisioni që do zbulonte çfarë ka ndodhur me subvencionet e Qeverisë për blerjen e rrymës në kohën e krizës.

Më vonë, komisioni u themelua. Berishaj pas një shtyrje, erdhi në raportim, por gjë s’u morë vesh.

Anëtarët e komisionit e pyeten për shumicën e dyshimeve, por shumica e përgjigjeve veçse ngitnin dyshime të reja.

Si përfundim, Berishaj përfundoi mbledhjen dhe u besua se gjithçka rreth këtij rasti mori fund, derisa ri-filluan lajmet në Slloveni, se po hetohet edhe vetë kryeministri slloven, lërmë Berishaj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore