Lajme

Anulohet konkursi për kryeshef ekzekutiv në Trepçë


Minatorët e Trepçës.

Të enjten e 8 dhjetorit, është anuluar kryeshefi ekzekutiv i Trepçës Sh.A i shpallur më datën 13 nëntor për të ndërprerë grevën e minatorëve të Trepçës.

Nga kjo ndërmarrje kanë bërë të ditur arsyet se përse kanë ardhur deri tek anulimi i këtij konkursi.

“Për shkak se nuk ka pasur një proces konkurrues, nuk është plotësuar kriteri që së paku katër kandidatë t’i plotësojnë kushtet, kriteret dhe pozitën përkatëse dhe se kjo çështje është paraparë me Kodin e Etikës dhe Qeverisjes Korporative për Ndërmarrjet Publike”, thuhet në dokument.

Për këtë konkurs fillimisht ishte vendosur që të shtyhet edhe për 5 ditë të tjera procedura e përzgjedhjes, pasi siç është thënë në njoftimin e datës 29 nëntor konkursi ka qenë i hapur për 15 ditë.

Por, për shkak të kompleksitetit të çështjes administrative konkrete, organi publik shtyu afatin fillestar të paraparë për përfundimin e procedurës administrative.

Pas mos-zbatimit të marrëveshjes nga pushteti me minatorët e Trepçës, të cilëve akoma s’u janë dhënë pagat e plotë, kryetari i Sindikatës së Trepçës, Ibrahim Januzi, në një përgjigje për Albanian Post, ka thënë se “asnjëherë nuk i përjashtojnë veprimet sindikale”.

Januzi, ka ritheksuar se marrëveshja të cilën e kishin arritur me pushtetin për plotësimin e tri kushteve të tyre që ishin pranimi i pagave me kohë, shkarkimi i kryeshefit dhe përmirësimi i kushteve, pushteti s’po u përmbahet.

“Marrëveshjes nuk po i përmbahen, pagat nuk na janë dhënë të plota. Nuk përjashtohen asnjëherë veprimet sindikale”, ka deklaruar Januzi për Albanian Post.

Greva e minatorëve

Afër 300 persona që nga 24 tetori në kombinatin metalurgjik Trepça – i cili gjendet në jug dhe në Veri të Mitrovicës, kanë qëndruar në thellësi të kësaj miniere duke kërkuar plotësimin e tri kërkesave, përmirësimin e kushteve, t’u dalin pagat me kohë si dhe të shkarkohet menaxhmenti.

Me uniformë të vjetruar, çizme të baltosura e helmetë të zymtuar minatorët punojnë tash e sa vjet në këtë minierë.

Kërkesë e tyre ka qenë vazhdimisht përmirësimi i kushteve, por që asnjëherë s’u dëgjuan nga pushteti.

Kjo ka dërguar në greva të njëpasnjëshme, por kjo e fundit rezultoi edhe me përkeqësimin e gjendjes shëndetësore të rreth 250 punëtorëve.

Një takim i mbajtur mes deputetëve të Kuvendit të Kosovës, pozitë e opozitë, me sindikatën e Trepçës fillimisht nuk çoi në ndonjë rezultat që kjo grevë të ndalohet.

Grevistët më pas morën një premtim nga pushteti se kërkesat e tyre do të realizohet për këtë arsye greva e tyre u ndërpre.

Por që të njejtës marrëveshje pushteti s’po i përmbahet, marrëveshja është arritur që nga 3 nëntori.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore