Kosova

Minatorët e ndërprejnë grevën pa iu realizuar kërkesat, por me pretime se do të ndodhë


Minatorët e Trepçës.

Minatorët e Trepçës, në ditën e 10-të e kanë ndërprerë grevën që e kishin filluar që nga 24 tetori për t’i plotësuar tri kërkesa, përmirësimin e kushteve, shkarkimin e kryeshefit të Trepcës, Enis Abdurrahmani dhe pagat t’u dalin me kohë.

Lajmin për Albanian Post e ka konfirmua përfaqësuesi i Sindikatës së Punëtorëve së “Trepçës”, Gani Osmani.

“Greva ka përfunduar, pas orës 12:00 të natës”, ka thënë Osmani për AP.

Ai ka thënë se të enjten disa deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje dhe përfaqësues të ministrisë së Ekonomisë kanë vizituar ata dhe kanë arritur një marrëveshje me punëtorët e Trepçës.

“Gjatë takimit na u tha se së shpejti do të shpallet konkursi për kryeshef të Trepçës, rrogat nuk do të vonohen më siç janë vonuar e për kushtet dhe sigurinë në punë, duhet me pritë sepse është çështje që merr kohë”, shtoi ai.

Ndërmarrja “Trepça”.

Greva e minatorëve

Afër 300 persona që nga 24 tetori në kombinatin metalurgjik Trepça – i cili gjendet në jug dhe në Veri të Mitrovicës, kanë qëndruar në thellësi të kësaj miniere duke kërkuar plotësimin e tri kërkesave, përmirësimin e kushteve, t’u dalin pagat me kohë si dhe të shkarkohet menaxhmenti.

Me uniformë të vjetruar, çizme të baltosura e helmetë të zymtuar minatorët punojnë tash e sa vjet në këtë minierë.

Kërkesë e tyre ka qenë vazhdimisht përmirësimi i kushteve, por që asnjëherë s’u dëgjuan nga pushteti.

Kjo ka dërguar në greva të njëpasnjëshme, por kjo e fundit rezultoi edhe me përkeqësimin e gjendjes shëndetësore të rreth 250 punëtorëve.

Një takim i mbajtur mes deputetëve të Kuvendit të Kosovës, pozitë e opozitë, të martën, me sindikatën e Trepçës nuk çoi në ndonjë rezultat që kjo grevë të ndalohet.

Nga opozita në një bisedë për Albanian Post u tha se pushteti refuzoi që kërkesat për minatorët të plotësohen.

Ky takim u përcjell edhe me rrëfim të përlotur të njërit prej minatorëve, duke kërkuar që të lihet politika anash dhe të bashkohen për Trepçën.

“Ju kisha lutur, jam shumë i emocionuar, shpëtojani jetën minatorëve. Bëhuni një grup krejt partitë, leni inatet mes vete, ejani sa më shpejt se minutat janë në pyetje”, tha minatori Sami Peci.

Kompleksi metalurgjik Trepça, deri në vitet 90 atëherë kur ishte përkeqësuar situata politike, ishte llogaritur si një prej ndërmarrjeve më të mëdha, jo vetëm në Kosovë, por edhe në territorin e Jugosllavisë së atëhershme.

Rënia e prodhimit ka nisur në vitet 90 kur regjimi i atëhershëm i Serbisë ka vendosur masa të dhunshme në Kosovë, kështu duke mbyllur gati të gjitha ndërmarrjet dhe institucionet në vend.

Ndërmarrja nuk ka arritur asnjëherë të vihet në funksion të zhvillimit ekonomik të Kosovës, por pritet të kalojë nën Fondin Sovran të Qeverisë së Kosovës.

Fond ky i cili do t’i marrë nën pronësi të gjitha asetet strategjike të Kosovës, për të investuar më pas në rritjen e vlerës së tyre, ndërsa miratimi i tij është paraparë që të bëhet brenda vitit 2023.

250 punëtorë kërkuan tretman mjekësor në grevë, “pushteti kundërshtoi plotësimin e kërkesave për minatorët”

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore