Lajme

Anija misterioze ruse e ankoruar në Kinë: Sjell armë të Koresë së Veriut në Moskë


Frika se Kina do të ofrojë ndihmë ushtarake për Rusinë e Vladimir Putinit është përhapur në Perëndim që nga fillimi i luftës.

Imazhet që agjencia “Reuters” ishte në gjendje të merrte ekskluzivisht mund ta bënin atë frikë shumë më të fortë se një dyshim.

Kina në fakt po ofron ankorim për një anije mallrash ruse që është nën sanksionet e SHBA-ve dhe është e përfshirë në transferimin e armëve nga Koreja e Veriut në Rusi.

Instituti britanik i ekspertëve “Royal United Services Institute” (RUSI) tha se anija ruse Angara – e cila ka transferuar mijëra kontejnerë që besohet se përmbajnë municione të Koresë së Veriut në portet ruse që nga gushti 2023 – është ankoruar në një kantier detar kinez në provincën lindore të Zhejiang që nga shkurti.

Në javët e fundit, zyrtarët amerikanë kanë lëshuar paralajmërime gjithnjë e më të rrepta për atë që ata thonë se, është ndihma (vendimtare) e Kinës në rindërtimin e Rusisë pas pengesave të hershme në luftën në Ukrainë.

Tema padyshim do të ngrihet gjatë vizitës së sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken në Pekin.

Numri 2 i Departamentit të Shtetit, Kurt Campbell, tha se Washingtoni “nuk do të qëndrojë duarkryq” nëse Pekini rrit mbështetjen e tij për Moskën.

Imazhet satelitore nga “Planet Labs” tregojnë se, anija Angara është ankoruar në Zhoushan Xinya, porti më i madh privat i riparimit të anijeve në Kinë, i vendosur në Zhejiang.

Ngarkesa – e identifikuar gjithashtu falë faktit se u ndez papritur, megjithëse për një periudhë shumë të shkurtër – ka bërë të paktën 11 udhëtime midis Koresë së Veriut dhe Rusisë që nga gushti i kaluar.

Kina pretendon se nuk ka informacion për këtë çështje.

Marrë nga “Corriere Della Sera”, përshtatur për Albanian Post 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore