Lajme

Anija izraelite sulmohet në brigjet e Emirateve të Bashkuara Arabe


Mediat pro iraniane dhe një kanal televiziv izraelit lajmëruan të martën se, një anije tregtare në pronësi të një firme izraelite, u sulmua në brigjet e Emirateve të Bashkuara Arabe (UAE) në ujërat e Gjirit.

Kanali 12 në Izrael, citoi zyrtarë izraelitë që fajësonin Iranin për ngjarjen, e cila u përshkrua si një sulm me raketa.

Nuk pati viktima dhe anija vazhdoi rrugëtimin e saj, u tha në kanalin televiziv, megjithëse ishte “dëmtuar lehtë”.

Dy burime të sigurisë detare i thanë agjencisë së lajmeve, Reuters, se një anije izraelite u godit pranë portit Fujairah, të Emirateve të Bashkuara Arabe. Si pasojë u ndje një shpërthim, por që nuk kishte viktima.

Zyrtarët pranë kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, dhe Ministrisë së Mbrojtjes së Izraelit nuk pranuan të komentojnë mbi incidentin.

Një zëdhënës i Ministrisë së Transportit në Izrael tha se ai ishte në dijeni të raporteve por nuk mund t’i konfirmonte ato.

Edhe Emiratet e Bashkuara Arabe nuk dhanë një konfirmim të menjëhershëm.

Incidenti vjen një ditë pasi Teherani akuzoi Izraelin për sabotimin e një centrali bërthamor.

Gjithashtu situata vjen pas fillimit të bisedimeve mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara në Vjenë, për mënyrat sesi të ringjallin marrëveshjen bërthamore të fuqive botërore 2015.

Kanali televiziv, Al Mayadeen, pro iranian dhe me qendër në Liban, e identifikoi anijen si Hyperion Ray.

Agjencia e lajmeve, Unews, e vendosur gjithashtu në Liban, tha se anija po transportonte makina dhe kishte qenë në portin e Kuvajtit, Mina Al Ahmadi, 48 orë më parë.

Një zëdhënës për Operacionet e Tregtisë Detare të Mbretërisë së Bashkuar (UKMTO) tha se institucioni është në dijeni të një incidenti të mundshëm pranë Fujairah-ut dhe se hetimet po vazhdonin.

Muajin e kaluar, një anije iraniane me kontejnerë u dëmtua pas një sulmi në Mesdhe. Ngjarja ndodhi dy javë pasi një anija izraelite, MV Helios Ray, e cila është në pronësi të së njëjtës kompani me Hyperion Ray, u godit nga një shpërthim në Gjirin e Omanit.

Incidentet kanë ndodhur që kur presidenti i SHBA, Joe Biden, mori detyrën në janar dhe u angazhua për t’u bashkuar me paktin bërthamor të vitit 2015, i cili u braktis nga paraardhësi i tij, Donald Trump.

Lëvizja e ish-presidentit Trump u mirëprit nga Izraeli.

Teherani dhe Washingtoni janë duke u përfshirë në retorikë diplomatike se si ta ringjallin marrëveshjen historike.

Zyrtarë për qeverinë iraniane thanë, të martën, se do të fillojnë pasurimin e uraniumit deri në pastërti 60%, pas sulmit në objektin e tij bërthamor.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore