Bota

Angli/ Johnson lehtëson masat kufizuese anti-Covid


Kryeministri i Britanisë së Madhe (MB), Boris Johnson, të hënën la të kuptohet se kufizimet e distancimit social do të marrin fund këtë verë. Gjithashtu, ai konfirmoi fazën tjetër të lehtësimit të masave në Angli.

Sipas tij, nga 17 maji, pub-et dhe restorantet do të hapen përsëri edhe në ambientet e brendshme. Aty do të lejohen të qëndrojnë deri në gjashtë persona dhe nga dy familje.

Sa u përket ambienteve jashtë, do të lejohen të qëndrojnë deri në 30 persona. Muzetë, teatrot, kinematë dhe parqet e lojërave për fëmijë, në ambiente të brendshme, do të rihapen gjithashtu. Po ashtu, edhe qëndrimi gjatë natës do të lejohet përsëri.

Reagimi i kryeministrit erdhi pas rritjes së rasteve të variantit Covid-19, të identifikuar së pari në Indi. I njohur ndryshe nga shkencëtarët si B.1.617.2, i cili u klasifikua javën e kaluar si një variant shqetësues nga zyrtarët e shëndetësisë në MB.

Johnson e përshkroi fazën tjetër të lehtësimit të masave, si “hapin më të madh në hartën tonë rrugore”. Gjithashtu u shpreh se, “masat e reja do të na lejonin të bënim shumë nga gjërat që kemi dashur të bëjmë për një kohë të gjatë”.

Nga e hëna tjetër, familjet do të jenë në gjendje të përshëndesin njëri-tjetrin, megjithëse masa për distancën sociale në vendet e punës, dyqane dhe hapësirat e tjera publike, do të mbetet në fuqi. Qeveria po kryen një rishikim të udhëzimeve, të cilat do të përfundojnë në fund të majit.

Zyrtarët shëndetësorë, javën e kaluar, thanë se rastet e variantit të ri ishin rritur nga 202 në 520, me përqendrimin më të lartë në Londër dhe Anglinë veriperëndimore.

Njoftimi për lehtësimin e mëtejshëm të kufizimeve erdhi në të njëjtën ditë kur shkencëtarët ulën statusin e alarmit të Mbretërisë së Bashkuar Covid-19 nga niveli katër në nivelin tre, ndërsa vaksinimi hyn në fuqi dhe infeksionet reduktohen.

Johnson njoftoi se vdekjet ishin në nivelin e tyre më të ulët që nga korriku i vitit të kaluar. Ministrat do të bëjnë një njoftim të mëtejshëm më vonë këtë muaj, nëse do të kërkohej certifikimi i vaksinës pasi të hiqen kufizimet.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore