Jetesë & Stil

Angelina Jolie “viktimë” e Brad Pitt dhe Harvey Weinstein


Aktorja, Angelina Jolie po pretendon se kishte frikë për sigurinë e fëmijëve dhe familjes së saj gjatë martesës me Brad Pitt, ndërkaq që ka zbuluar se në fillimet e karrierës së saj ishte sulmuar nga producenti i filmit, Harvey Weinstein.

Në një intervistë të dhënë për të përditshmen “The Guardian”, Jolie, ka folur rreth divorcit të saj me Pitt, paditë që i ka ngritur karshi burrit të saj si dhe librit të saj të ri “Know your rights”.

Aktorja pretendon se ishte e frikësuar për “të gjithë fëmijët e saj”, dhe vendimi për t’i dhënë fund martesës më aktorin, Brad Pitt, kishte ardhur pas shumë tentativave për ta shpëtuar lidhjen e tyre.

Brad Pitt dhe Angelina Jolie, vite më parë.

“Unë nuk jam person që marr vendime të shpejta dhe mu desh shumë kohë që të kaloja në pozicionin ku isha e gatshme të ndahem nga babai i fëmijëve të mi”, tha ajo.

Jolie dhe Pitt ndajnë bashkë gjashtë fëmijë: Maddox, Pax, Zahara, Shiloh dhe binjakët Vivienne e Knox.

Maddox nuk përfshihet në betejën e vazhdueshme të kujdestarisë sepse ai nuk është më i mitur.

Gjithçka filloi në vitin 2016, kur Jolie, kishte paraqitur kërkesën e saj për divorc nga Pitt, ndërsa akuzat ndaj këtij të fundit akoma nuk janë faktuar nga organet e shtetit në lidhje me një incident midis tij dhe Maddox, të ndodhur në një aeroplan që po udhëtonte nga SHBA drejt Evropës.

Ndërsa dyshja tani janë divorcuar ligjërisht, ata ende po luftojnë për kujdestarinë e fëmijëve të tyre.

Kur u pyet për pesë vitet e fundit, Jolie tha se divorci ishte “traumatik” dhe shtoi: “Dua të them, në disa mënyra ka qenë dekada e fundit. Ka shumë gjëra që nuk mund të them. Unë mendoj se në fund të ditës, edhe nëse ju dhe disa njerëz që doni janë të vetmit njerëz që e dinë të vërtetën e jetës tuaj, për çfarë luftoni, ose për çfarë sakrifikoni, ose atë që keni vuajtur, ju arrini të jeni në paqe me këtë, pavarësisht nga gjithçka që ndodh rreth jush”.

Një çështje tjetër që ajo kishte me Pitt gjatë martesës së tyre ishte gatishmëria e tij për të punuar me përdhunuesin Harvey Weinstein të cilin, ajo pretendon, se abuzoi me të.

“Ishte përtej një kalimi, ishte diçka që më duhej të shpëtoja,” tha Jolie, e cila luajti në filmin “Playing by Heart” të Weinstein kur ishte 21 vjeç.

Angelina Jolie, Harvey Weinstein.

“Unë qëndrova larg dhe i paralajmërova njerëzit për të. Mbaj mend që i thashë Xhonit, burrit tim të parë, i cili ishte i mrekullueshëm për këtë, që t’ua përhapë fjalën djemve të tjerë – mos i lini vajzat të shkojnë vetëm me të”.

“Më kërkuan të bëja ‘Aviatorin’, por unë thashë ‘jo’ sepse ai ishte i përfshirë. Unë kurrë nuk u shoqërova e as nuk punova me të përsëri. Ishte e vështirë për mua kur Brad e bëri këtë po si ai”, përfundoi Jolie.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore