Lajme

Analisti euroskeptik e sheh rikthimin e ShBA-së në Ballkan – “Ëndrra e Zajednicës u varros me deklaratën e Escobar”


Analisti politik, Jusuf Thaçi

Ëndrra e Serbisë për Asociacion/Zajednicë u varros, vlerësoi analisti politik kosovar, Jusuf Thaçi.

Deklaratën e emisarit amerikan Gabriel Escobar se “Asociacioni nuk bën të jetë shtet brenda shtetit”, Thaçi e pa si rikthim të ShBA-së në Ballkan.

Mes tjerash, Thaçi i cili për nga opinionet politike e paraqet veten euroskeptik, shkroi se “lojërat e BE-së në Ballkan morën fund”.

“Amerikanët e varrosën ëndrrën e Serbisë për Asociacion/Zajednicë që e shkelë rendin kushtetues në Kosovë (nivel i ri qeverisës), që e cenon funksionalitetin e shtetit të Kosovës (pengesa e bllokada në çdo hap) dhe që krijon shtet brenda shtetit në Kosovë (bosnjizim)!”, shkroi Thaçi në Facebook.

“Escobar tha se ka modele të shumta evropiane, ku minoritetet mund të mbrojnë trashëgiminë e tyre kulturore dhe gjuhën amtare, por pa shkelur kornizën kushtetuese të vendit ku jetojnë”.

Çfarë tha Gabriel Escobar?

Sipas të dërguarit të Posaçëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, krijimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe nuk duhet të jetë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, dhe të krijojë “shtet brenda shtetit”.

Gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët, Escobar potencoi se qëndrimi i SHBA-së është që të zbatohen të gjitha marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi,

Megjithatë sipas tij një diskutim më të detajuar duhet të ketë për çështjen e Asociacionit, që e njëjta të mos bie ndesh me ligjet e Kosovës.

“Por, Asociacioni nuk do të jetë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, të pengojë funksionalitetin e Kosovës dhe nuk duhet të jetë shtet brenda shtetit”, ka thënë Escobar.

Sipas top-diplomatit amerikan ka modele të shumta evropiane, ku minoritetet mund të mbrojnë trashëgiminë e tyre kulturore dhe gjuhën amtare, por pa shkelur kornizën kushtetuese të vendit ku jetojnë.

“Ne duam të gjejmë disa prej këtyre shembujve, dhe ndoshta edhe t’i përdorim si udhëzues për të zbatuar Asociacionin. Prandaj, kam shpresë se mund t’i diskutojmë këto në Bruksel më vonë gjatë këtij muaji”, shtoi ai.

Escobar më tej potencoi se për Shtetet e Bashkuara, çështja e Kosovës “nuk është çështje e hapur”, pasi Uashingtoni dëshiron që Kosova të njihet prej të gjitha shteteve të BE-së dhe të anëtarësohet në organizata ndërkombëtare.

Ai tha se SHBA-ja mbështet “plotësisht dialogun e lehtësuar nga BE-ja”.

“Ne besojmë se ka një zgjidhje të përhershme për çështjen e targave të makinave. Besoj se jemi afër zbatimit e udhërrëfyesit për energjinë në veri, jemi afër nënshkrimit të marrëveshjes për të pagjeturit dhe shpresoj që palët do ta nënshkruajnë këtë marrëveshje shumë shpejt”.

Blinken në takim me Osmanin dhe Kurtin kërkoi të nisë diskutimi për Asociacionin  

Escobar ka bërë të ditur se në takimin që u zhvillua një javë më parë ndërmjet Sekretarit Amerikan të Shtetit, Antony Blinken dhe dy liderëve kosovarë, Vjosa Osmani dhe Albin Kurti, është diskutuar edhe për çështjen e Asociacionit.

“Dhe sikurse sekretari [amerikan i Shtetit, Antony] Blinken u tha presidentes [Vjosa Osmani] dhe [Albin Kurti] kryeministrit të Kosovës kur ishin në SHBA, ne duhet të nisim diskutimin për Asociacionin”, tha ai.

Mospajtimet në Veri të zgjidhen përmes diplomacisë

Sipas diplomatit amerikan, tensionet në Veri që erdhën si rezultat i dy vendimeve të Qeverisë së Kosovës, atë për targat dhe kartat e identitetit, duhet të zgjidhen përmes rrugëve diplomatike, pra dialogut.

“Ajo që po ndodh në Veriun e Kosovës në të vërtetë është çështje midis Kosovës dhe Serbisë, prandaj është urgjente që të dy liderët e dy shteteve të takohen në Bruksel në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja dhe të tejkalojnë mospajtimet sa i përket veriut”, tha ai.

Çka pati deklaruar Escobar në lidhje me Asociacionin gjatë vizitës së tij të fundit në Kosovë? 

Escobar, pati folur për gjetjen e modeleve për implementimin e Asociacionit edhe në vizitën e tij të fundit në Kosovë, gjatë muajit shkurt të këtij viti.

Sipas tij këto modele nuk duhet të jenë modele që dëmtojnë sovranitetin apo funksionalitetin e Kosovës si shtet.

“Ajo çfarë kam deklaruar kur kam thënë ‘që ka shumë opsione për krijimin e një Asociacioni’, ka qenë për të thënë se nuk duhet që të jenë modele që dëmtojnë sovranitetin apo funksionalitetin e Kosovës. Duhet të gjendet një prej modaliteteve që nuk e cenojnë pavarësinë”, pati deklaruar Escobar në përfundimin e turit të tij tre ditor në Kosovë së bashku me Miroslav Lajçak.

Ndërsa Escobar me t’u kthyer në ShBA-të gjatë një raportimi para senatorëve amerikanë në Komitetin për Punë të Jashtme, ishte pajtuar me faktin se disa pika të marrëveshjes së Asociacionit nuk ishin në përputhje me frymë Kushtetuese të Kosovës, megjithatë ai pati potencuar se vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk e ndalon formimin e Asociacionit.

“Ne e përkrahim formimin e Asociacionit për shumë arsye. E para është arritur marrëveshje. Gjykata Kushtetuese i ka shpallur disa pika si jokushtetuese, por s’ka thënë se Asociacioni në vete është jokushtetues. Në dialog, u takon Kosovës dhe Serbisë të caktojnë se si do të duket. S’duhet dhe nuk duam që të jetë e ngjashme me Republikën Sërpska”, pati deklaruar Escobar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore