Lajme

Analisti afgan Wahdatyar: Presidentja Osmani po avokon për të sjellë më shumë refugjatë afganë në Evropë


Refugjat afgan në Aeroportin Ndërkombëtar "Adem Jashari"-Prishtinë

Pritja e refugjatëve afgan nga Republika e Kosovës është vlerësuar lartë nga ana e analistit afgan Hashim Wahdatyar.

Ai ka thënë se veprimet e Kosovës përkatësisht deklarimi i presidentes, Vjosa Omani për strehimin e refugjatëve afgan ishte i pari nga presidentët e shteteve Evropiane, andaj ishte edhe motivues duke hapur rrugë që afganët të mirëpriten edhe nga shtetet e tjera të Evropës.

Analisti afgan Hashim Wahdatyar

Në një postim në rrjetin e tij social Twitter, analisti afgan, Wahdatyar ka shkruar gjithashtu se “Në ditën kur talebanët pushtuan Afganistanin, ajo (Osmani) ishte presidentja e parë që njoftoi pranimin e më shumë emigrantëve afganë”.

“Presidenti Osmani po avokon për të sjellë më shumë refugjatë afganë në Evropë”, ka shkruar Wahdatyar.

Deklarimet e presidente Osmani për pranimin e refugjatëve afgan ishin ndër të parat nga vendet e rajonit por, Qeveria nuk kishte thënë asnjë fjalë për këtë deri sa pati reagime nga shoqëria civile dhe partitë opozitare, ku vet Kryeministri Albin Kurti deklaroi se janë duke negociuar me Shtetet e Bashkuara të Amerikë (SHBA) por se nuk mund të thotë asgjë më shumë në këtë fazë.

Ndërsa në vend kishin arritur disa grupe të refugjatëve afgan.

Në grupin e parë kanë arritur gjithsejtë 111 refugjat ndërsa në grupin e dytë kanë arritur 102 refugjat afgan.

Kurse Qeveria e SHBA-ve ka mbuluar të gjitha shpenzimet për afganët e strehuar në Kosovë.

I ngarkuari me punë i Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Nicholas J. Giacobbe, me 21 tetor kishte falënderuar Presidenten Osmani dhe qytetarët e Kosovës për sigurimin e strehimit të përkohshëm për qytetarët e Afganistanit, nga të cilët, siç tha ai, rreth një e treta tashmë kanë shkuar në SHBA.

Ai kishte bërë të ditur se “Deri më tani, 141 afganë e kanë bërë këtë, rreth 30 përqind e të ardhurve, janë në rrugë për në SHBA”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore