Zgjedhjet në Kosovë

Analistët shpjegojnë humbjen e Vetëvendosjes – këto janë shkaqet


Nga e majta, Behlul Beqaj, analist, Albin Kurti Kryetar i VV-së dhe Visar Ymeri, analist

Zgjedhjet e 17 tetorit prodhuan një realitet të ri politik në Kosovë.

Fuqia e Lëvizjes Vetëvendosje u zbeh në nivelin lokal. Nga 50,28 për qind të votave të fituara në zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit ka rënë në 25,7 për qind të votës popullore me 17 tetor në zgjedhjet lokale.

Ky rezultat për analistin Behlul Beqaj është “reflektim i qasjes joreale dhe arrogante të pushtetit ndaj opozitës”.

Beqaj, për Albanian Post, vlerëson se Vetëvendosje nuk punoi mjaftueshëm me afirmimin e kandidatëve të cilët i kishte future në garë.

Behlul Beqaj, analist

“Është reflektim ndaj agjendës së gabuar dhe mbështetjes së kuadrove luajale ndaj liderit e jo të afirmimit të personaliteteve me integritet dhe autonomi të veprimit”.

“Nëse Vetëvendosje me 14 shkurt të pamundurën e bëri të mundur me fitore plebishitare, me 17 tetor të mundurën e bëri të pamundur duke humbur gjysmën e mbështetjes së elektoratit”.

Aq sa i madh ishte ndryshim i shifrave brenda gjashtë muajsh, po kaq të mëdha janë edhe arsyet, vlerëson Beqaj.

“Shkaktarët janë të shumtë. Arroganca e përcjellur me mungesën e përvojës. Gabimi në identifikimin e problemeve dhe kapaciteteve politikbërëse. Qasje jo reale ndërkombëtare veçmas ndaj dialogut me Serbinë”.

Visar Ymeri, analist, ish kryetar i LVV-së

Zgjedhjet lokale kryesisht pasqyrojnë fuqinë reale të secilës parti veç e veç.

Visar Imeri, tash analist por një kohë edhe udhëheqës i kësaj partie, rezultatet e zgjedhjeve të së dielës i sheh si “votë për, jo kundër, si ato të 14 shkurtit”.

“Përmes këtyre zgjedhjeve mendoj që rikuptimësohet rezultati i 14 shkurtit si një rezultat mllefi e zhgënjimi të momentit të qytetarëve i cili në zgjedhjet e djeshme duket se ka rënë në binarë të normales”.

“Vota me 14 shkurt ka qenë votë kundër – kjo më 17 tetor është votë për. Zhvillim pozitiv ky për sistemin tonë demokratik”, ka thënë Visar Ymeri për Albanian Post.

Lëvizja Vetvendosje, sipas Visar Ymerit, është humbësja më e madhe në zgjedhjet e raundit të parë në nivelin lokal. Kjo nëse, sipas tij, krahasojmë pritjet e “stërfryra që VV kishin ndërtuar për veten dhe fuqinë e saj elektorale”.

“Mirëpo VV duket të ketë rënë në votën e vet normale”.

Edhe pse Vetëvendosje doli partia me më së shumti balotazhe, ajo nuk arriti të marr as një komunë pa balotazh, “karshi pritjeve të kryetarit të saj i cili thoshte se i synojnë ¾ e komunave”.

“Kështu nëse e krahasojmë synimin e shpallur nga VV dhe rezultatin elektoral kjo është humbje e madhe”.

Ymeri vlerëson se “ky synim” është kalkuluar gabimisht” dhe VV është paraqitur “si një parti e verbëruar me mbështetjen e paprecedent në zgjedhjet e përgjithshme gjë që ia ka errësuar gjykimin racional për zgjedhjet”.

Njëjtë si Beqaj edhe Ymeri vlerëson se faktorët e këtij “realiteti të ri” të dielën, janë të shumta.

“Qeverisja e VV në nivel qendror është larg pritjeve të cilat qytetarët i kanë pasur për ta. Shtoja këtu pastaj që VV i ka bërë disa gabime elementare në qeverisje duke përsëritur fenomenet negative për të cilat i kishte gjykuar shumë të tjerët”, ka thënë Ymeri për Albanian Post.

Këto ndryshime në qëndrime dhe sjellje të partisë së Albin Kurtit “në pushtet krahasuar me VV në opozitë” asnjëherë nuk janë shpjeguar nga Kryeministri e krerët tjerë të VV-së.

“Kjo ka shpërfaqur një arrogancë të theksuar gjatë qëndrimit në pushtet gjë që nuk është pritur mirë nga elektorati”.

Faktor tjetër po ashtu i rëndësishëm sipas Visar Ymerit, ka qenë “përzgjedhja e kandidatëve” një numër I të cilëve, sipas tij, nuk kanë arritur as ta tejkalojnë VV-në e vitit 2013.

“Shtoja kësaj pastaj tentimet e dështuara për ta ndarë skenën politike në NE dhe ATA si formë e polarizimit shoqëror për të mobilizuar (prapë) votë kundër gjë që në këto zgjedhje nuk ka pasur asnjë efekt”.

Dhe një nga shkaqet tjera të cilat e kanë goditur Albin kurtin dhe partinë e tij më 17 tetor ishte pjesëmarrja e ulët në zgjedhje, “meqë është parti e cila varet kryekëput në popullaritetin e Liderit e shumë pak në një organizim të duhur partiak e politik”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore