Lajme

Analistët: Fishekzjarret për Dodikun në Serbi, mbulesë e Vuçiçit për debaklin në Kosovë


Millorad Dodik dhe Aleksandër Vuçiç

Sipas Aleksandër Popovit nga Qendra për Rajonin në Serbi, festimi i ditës së Republikës Srpska në Bosnje dhe Hercegovinë u bë për largim të vëmendjes nga dështimi i politikës së Serbisë në Kosovë.

“Lëvizjet e viteve të fundit të Serbisë, sidomos ato të vitit 2023, kanë bërë që Ursula von der Leyen të thërrasë për njohjen de-facto të Kosovës. Vitin e shkuar, çështja e targave gati çoi në luftë dhe tani papritmas s’është më problem të hysh në Serbi pa letër ngjitëse. Një politikë e tillë mund të jetë për konsum të brendshëm, por lë shenja në rajon”, tha Popov për Nova.rs.

“Megjithatë, s’jam i befasuar nga Dodiku a Vuçiçi, por nga Perëndimi që po lejon që gjërat të shkojnë kaq larg”, shtoi ai.

Popov ka potncuar se lidershipi në Serbi tashmë s’po merr parasysh pasojat e mundshme nga lëvizje të caktuara dhe sipas tij, përkrahja e Dodikut është përkrahje për disintegrimin e Bosnjës dhe një krize të re në Ballkan.

Ndërsa politologu serb nga veriu i Kosovës, Ognjen Gogiç, ka thënë se në Serbi uniteti për çështje të tilla “është ngritur” në vazhdimësi që kur SNS-ja e Aleksandër Vuçiçit është në pushtet.

“Kur progresistët erdhën në pushtet, raportet me Republikën Srpska u forcuan”, ka theksuar ai duke shtuar se kjo dëshmohet edhe gjatë festave.

“Dikush mund të thotë se kjo është ide e ‘botës serbe’ ku është një unitet kulturor i tërë rajonit. Kjo ka qenë politikë konsistente që kur SNS-ja erdhi në pushtet. Uniteti ‘është fryrë’ dhe mesazhet nxitëse çohen gjithmonë nga këto festime, për të provokuar rajonin”, theksoi Gogiç,

Sipas tij, “ka shumë mundësi që kjo çon mesazh se nëse presioni mbi Kosovën nuk ndalet, Serbia do të hapë çështjen e Republikës Srpska si përgjigje”.

“Pra, nëse kushtëzimi i Serbisë vazhdon, Beogradi do ta njohë Republikën Srpska. Prandaj, qëllimi është të dërgohet mesash se Serbisë s’duhet t’i kërkohet shumë, sepse mund të hapë çështje rajonale”, ka nënvizuar ai.

Ndryshe të martën, në dritën e kërcënimeve secesioniste të presidentit ultra-nacionalist të Republikës Sërpska, Millorad Dodik, entiteti serb në Bosnje dhe Hercegovinë shënoi “ditën kombëtare” në Banja Llukë në mesin e zyrtarëve institucionalë, krerëve ushtarakë e prijësve fetarë të Serbisë, ndërsa në paradën e mbajtur morën pjesë edhe pjesëtarët e klubit të motoçiklistëve “Ujqërit e Natës”.

Gjykata Kushtetuese e Bosnje dhe Hercegovinës shpalli tri herë 9 janarin festë antikushtetuese – në vitin 1992, kuvendi i atëhershëm i popullit serb të Bosnje dhe Hercegovinës miratoi Deklaratën e Republikës së Popullit Serb të Bosnjës dhe Hercegovinës, entitet i pavarur në Bosnjë dhe Hercegovinë – megjithëse tash e shtatë vjet askush nuk ka marrë përgjegjësi penale.

“Ujqërit e Natës” shihen rrugëve të Banja Llukës – Kush janë dhe kush i pa në veri të Kosovës motoçiklistët rusë

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore