Lajme

Ambasadorja suedeze në Beograd: S’ka asnjë paralele mes Kosovës dhe Ukrainës – NATO parandaloi spastrim etnik më 1999


Anika Ben David

Ambasadorja e Suedisë në Serbi, Anika Ben David, në një intervistë për gazetën serbe “Politika”, ka thënë se nuk mund të ngritët asnjë paralele midis agresionit të paprovokuar rus në Ukrainë dhe intervenimit humanitar të NATO-s në Kosovë më 1999.

“Nuk shohim paralele mes kësaj çfarë po ndodh tash në Ukrainë dhe asaj çfarë ndodhi në Serbi më 1999”, ka thënë diplomatja suedeze, ndërsa ka shtuar se “bombardimet e NATO-s ishin përpjekja e fundit për të ndaluar spastrimin etnik në Kosovë”.

“Nuk ka pasur konflikt mes dy vendeve, porse Rusia e pushtoi Ukrainën më 2014. Ka pasur shumë konflikte në Jugosllavi dhe intervenimi i NATO-s ishte përpjekja, si gjëja e fundit, për të parandaluar spastrimin etnik në Kosovë. Bombarimet e 1999-ës duhet të shihen në atë kontekst”.

“Shpresoj që përvojat tramautike nga fushata e NATO-s nuk do të mjegullojnë pikëpamjen e popullit serb për të ardhmen dhe mundësitë që kanë tash. Inkurajimi im është se ata s’do shikojnë prapa, por në favor të mundësive që sjell anëtarësimi në Bashkimin Evropian”, ka thënë ndër të tjera diplomatja suedeze.

Intervenimi ushtarak humanitar i NATO-së në Serbi dhe Mal të Zi në vitin 1999 qe çarja më e madhe ndërmjet Perëndimit dhe Rusisë. Që atëherë, Rusia nuk ka reshtur së qeni kundërshtare e zhvillimeve në Kosovë, e sidomos qëkur Kosova shpalli pavarësinë.

Ndryshe, vetëm pak ditë para sulmit ushtarak të Rusisë ndaj Ukrainës, presidenti rus Vladimir Putin, gjatë një konference të përbashkët me kancelarin gjerman Olaf Scholz në Kremlin, risolli në vëmendje ndërhyrjen e NATO-së ndaj Jugosllavisë në vitin 1999, duke u përpjekur që të arsyetonte sulmin ndaj Ukrainës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore