Lajme

Ambasadorja Geci-Sherifi i dorëzon letrat kredenciale në Letoni


Ambasadorja Geci-Sherifi dhe Presdenti Letonez, Egils Levits.

Në Kështjellën e Rigës, Ambasadorja e Republikës së Kosovës, Shkëndije Geci-Sherifi, në një ceremoni pritje i ka dorëzuar Letrat Kredenciale Presidentit të Republikës së Letonisë, Egils Levits.

Me këtë rast Ambasadorja, Geci-Sherifi, i ka përcjellë përshëndetjet e përzemërta të Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani për presidentin dhe popullin e Letonisë.

Presidenti letonez, Levits ka ri-konfirmuar marrëdhëniet e shkëlqyera në mes të Letonisë dhe Kosovës.

Ambasadorja Geci-Sherifi dhe Presdenti Letonez, Egils Levits

Në një njoftim të Ambasadës së Kosovës në Stokholm të Suedisë, thuhet se Ambasadorja Geci-Sherifi ka shprehur falënderimet dhe mirënjohjen e thellë për mbështetjen e vazhdueshme të Letonisë në sfera të ndryshme e veçanërisht në fushën e edukimit.

“Në shkollën specializuar për drejtësi – Riga Graduate School of Law (RGSL), në të kaluarën por edhe aktualisht janë duke ndjekur studimet dhjetëra studentë nga Kosova. Marrëdhëniet Kosovë-Letoni po thellohen në vazhdimësi, si në fushën e integrimeve euro-atlantike po ashtu edhe në atë të mbrojtjes dhe sigurisë”, thuhet në njoftim.

Gjatë qëndrimit në Letoni, Ambasadorja Geci-Sherifi ka zhvilluar takime edhe me përfaqësues tjerë të lartë institucional, të Letonisë.

“Me zv.kryeparlamentaren e Kryesisë së Parlamentit të Letonisë, znj.Inese Voika, Sekretarin e Shtetit në MPJ të Letonisë, z.Andris Pelšs, Shefen e Protokollit të Shtetit, znj.Elita Kuzma, Drejtorin e Departamentit për Ceshtje Evropiane, z.Gints Jegermanis dhe Drejtoren e Divizonit për Evropën Qendrore dhe Jugore znj.Kristine Rigerte”, thuhet në njoftim.

Sherifi-Geci është Ambasadore rezidente e Kosovës në Mbretërinë e Suedisë që nga maji i vitit 2019, ndërkaq tani edhe Ambasadore jo-rezidente e Jashtëzakonshme dhe Fuqiplotë e Republikës së Kosovës në Letoni.

Ambasadorja Geci-Sherifi dhe Presdenti Letonez, Egils Levits

Ndryshe, Ambasada e Kosovës në Suedi, mbulon edhe pesë shtete tjera si Finlandën, Estonin, Letoninë, Lituaninë dhe Islandën.

Ndërsa Letonia ka njohur pavarësinë e Kosovës më 20 shkurt të 2008, kurse dy vendet vendosën marrëdhënie diplomatike më 11 qershor 2008.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore