Lajme

Ambasadori i Britanisë në OSBE: Serbia të bashkëpunojë me Kosovën në rastin e 24 shtatorit, Prishtina ta themelojë Asociacionin sa më shpejt


Neil Holland

Shefi i Misionit të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në Kosovë, Michael Davenport, të enjten ka paraqitur raportin e rregullt të Misionit në Këshillin e Përhershëm të OSBE-së në Vjenë.

Në fjalën e tij Davenport ka theksuar se dialogu, respektimi i të drejtave të njeriut dhe konsolidimi i institucioneve demokratike janë prioritetet kryesore të Misionit.

Të njëjtat objektiva, sipas ambasadorit, kanë përfituar një rëndësi të veçantë sidomos pas sulmit terrorist në Veri të Kosovës.

“Dhuna e fundit në Kosovën Veriore nënvizon se sa e rëndësishme është kjo punë për rindërtimin e besimit ndërmjet komuniteteve”, citohet të ketë thënë Davenport.

Ndaj raportit të fundit të Misionit të OSBE-së në Kosovë, ka pasur komente edhe ambasadori i Britanisë së Madhe në OSBE, Neil Holland, i cili ka përshëndetur punën e Davenport duke theksuar se raporti i paraqitur nga ky i fundit ofron një përmbledhje të dobishme të zhvillimeve dhe aktiviteteve gjatë periudhës raportuese.

Holland në fjalimin e tij në Këshillin e Përhershëm të OSBE-së në Vjenë, ka kërkuar që Kosova dhe Serbia të ri-angazhohen në procesin e dialogut të lehtësuar nga BE-ja, duke respektuar angazhimet e tyre të dala nga ky proces dhe duke i shmangur veprimet ose retorikën që mund të zvogëlojnë perspektivat për një Ujdi.

“Në përputhje me marrëveshjet e Brukselit dhe Ohrit, ne i nxisim të dyja palët që të angazhohen në mënyrë konstruktive – duke përfshirë themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe – sa më shpejt që të jetë e mundur”, ka thënë Holland.

Britania e Madhe, sipas ambasadorit Holland, mbështet vlerësimin e Raportit duke theksuar se pjesëmarrja e serbëve të Kosovës në gjyqësor, polici dhe institucionet komunale në Veri të Kosovës është thelbësore për rivendosjen e besimit dhe stabilizimin e situatës së sigurisë.

“Ne gjithashtu inkurajojmë pjesëmarrjen e pakushtëzuar të serbëve të Kosovës në çdo zgjedhje të re komunale që do të zhvillohet në Veri të Kosovës”, ka thënë Holland.

Holland ndër të tjera ka thënë se Britania e Madhe i ka ndjekur me shqetësim serioz zhvillimet e fundit në Veri të Kosovës.

“Ne dënojmë fuqishëm sulmin e dhunshëm ndaj Policisë së Kosovës më 24 shtator nga një grup sulmuesish të armatosur rëndë dhe të organizuar”.

Sipas tij në këtë fazë “është e rëndësishme që Serbia të bashkëpunojë plotësisht me organet hetuese të institucioneve të Kosovës në koordinim me EULEX-in, për të vërtetuar faktet e plota, për të identifikuar përgjegjësit dhe për t’i sjellë ata para drejtësisë”.

Holland në fjalimin e tij në Këshillin e Përhershëm të OSBE-së në Vjenë, ka potencuar faktin se Britania e Madhe vazhdon t’i kërkoj Kosovës dhe Serbisë që të shmangin veprimet e njëanshme dhe të ndërmarrin hapa të menjëhershëm për të reduktuar tensionet.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore