Zgjedhjet në Shqipëri

Ambasadori gjerman reagon pas zgjedhjeve të 25 prillit/ Akuzat dhe ankesat të trajtohen pa vonesë nga organet kompetente


Ambasadori gjerman në Tiranë, Peter Zingraf, të mërkurën e 28 prillit ka reaguar në lidhje me zgjedhjet parlamentare në 25 prillit në Shqipëri.

“Dita e zgjedhjeve të dielën e shkuar rrodhi e qetë dhe thuajse kudo e paqtë”.

Nëpërmjet një statusi në median sociale Facebook, Zingraf shkruan se Kodi Zgjedhor e kaloi me sukses testin e tij të parë.

Për më tepër ai thotë se po pret raportin përfundimtar të OSBE/ODHIR-it në lidhje me procesin zgjedhor.

“Të gjitha akuzat dhe ankesat, që kanë të bëjnë me zgjedhjet, mes tyre edhe ato për shitblerjen e votës, duhet të trajtohen pa vonesë dhe me vendosmëri – në këtë pikë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe organet e drejtësisë duhet të marrin përsipër një përgjegjësi të rëndësishme”.

Ai vijon duke falënderuar vetëpërmbajtjen dhe maturinë e shumë kandidateve dhe kandidatëve në ditën e zgjedhjeve.

“Për ne me rëndësi vendimtare është rruga e mëtejshme e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian”.

Duke shtuar se “partitë dhe aktorët politikë duhet të kontribuojnë në mënyrë aktive në këtë drejtim dhe që përmes reformash të tjera të bëhen hapa përpara”.

Në përfundim Zingraf nuk lë pa uruar dhe fitoren e Partisë Socialiste. “Qeveria do të ketë një funksion kyç në këtë proces reformash”.

Po ashtu nuk la pa falënderuar dhe opozitën Partinë Demokratike, e cila, sipas tij ka mundur të shënojë një rritje të konsiderueshme krahasuar me zgjedhjet e fundit.

“Gjermania do të vazhdojë ta shoqërojë dhe mbështesë Shqipërinë edhe më tej në rrugën e saj”, e mbyll postimin Zingraf.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore