Lajme

Ambasadorët e BE-së miratojnë përfshirjen e zbatimit të Marrëveshjes Bazë në kornizën negociuese për Serbinë


Ilustrim

Ambasadorët e vendeve të Bashkimit Evropian (BE) miratuan ndryshimet në tekstin e kushteve nga kapitulli 35 në kuadër të kornizës negociuese në procesin e negociatave të anëtarësimit të Serbisë në BE, i cili përveçse mbulon kriteret për anëtarësimin e Serbisë, adreson edhe përmbushjen e zotimeve në kuadër të dialogut për normalizimin Kosovë-Serbi.

Komiteti i Përfaqësuesve të Përhershëm (COREPER) – organi kryesor përgatitor i Këshillit të BE-së – u pajtua që zbatimi i marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të raporteve Kosovë-Serbi që u arrit vitin e kaluar të përfshihet në kapitullin 35 të negociatave të anëtarësimit dhe kusht specifik për rrugëtimin e mëtejmë të Serbisë drejt BE-së, raporton “Tanjug”.

Në bazë të burimeve të agjencisë serbe të lajmeve, teksti për kapitullin 35 të negociatave për Serbinë u miratua pa diskutim në COREPER dhe pritet të konfirmohet të hënën e javës së ardhshme në Këshillin e BE-së për Punë të Jashtme, pas së cilës do t’u dërgohet zyrtarisht autoriteteve serbe.

Në takimin e fundit në muajin dhjetor të vitit 2023, shtetet anëtare obliguan BE-në që ta inkorporojë zbatimin e obligimeve në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi në kapitullin 35 të negociatave për anëtarësimin e Serbisë, ku i kërkohet njohja de-facto e Kosovës, deri në finalizimin e procesit që supozohet të përfundojë me njohje reciproke.

Emisari Special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajcak, në fund të vitit 2023, përmendi fundin e janarit 2024 si afat optimal për formalizimin e Marrëveshjes Bazike (Bruksel, 27 shkurt dhe Ohër, 18 mars) për normalizimin e marrëdhënieve Prishtinë-Beograd, duke kushtëzuar rrugën e Serbisë drejt BE-së nëpërmjet zbatimit të kësaj marrëveshjeje.

“Shtetet anëtare e kanë ngarkuar BE-në që zotimet e Serbisë të përfshihen në Kapitullin 35 të negociatave për Serbinë, i cili mbulon normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, para fundit të janarit 2024. Pra, këtu kemi një afat të qartë kohor për formalizimin e marrëveshjes – pjesë e marrëveshjes kontraktuale me BE-në dhe kritereve të anëtarësimit të Serbisë”.

Kapitulli 35 për Serbinë u hap ndër të parët qysh në dhjetor të vitit 2015 për të përcjellë përparimin drejt normalizimit të raporteve Prishtinë-Beograd. Serbia i kishte hapur negociatat e anëtarësimit me BE-në në janar të vitit 2014, ndërsa deri tani shteti serb i ka hapur 22 nga gjithsejtë 35 kapitujt e kornizës negociuese për anëtarësimin e ardhshëm në bllok.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore