Lajme

Ambasada e Ukrainës: Mbi 16 mijë turistë ukrainas janë aktualisht në Egjipt


Turistët, duke ecur në një plazh në qytetin turistik Hurghada të Egjiptit në Detin e Kuq.

Në një konferencë për shtyp të mbajtur në Kajro, Ruslan Nechai, i ngarkuari me punë të Ukrainës në Egjipt, ka thënë se turistë ukrainas aktualisht ndodhen në Hurghada, Sharm El-Sheikh dhe Marsa Alam.

Ai shtoi se ata e kanë të pamundur të kthehen në Ukrainë, pasi hapësira ajrore e vendit është e mbyllur. Megjithatë, mund të kthehen në shtëpi përmes kufijve të vendeve fqinje “miqësore” të Ukrainës.

Nechai falënderoi Egjiptin për mikpritjen e turistëve ukrainas pa pagesë në hotelet egjiptiane, duke shtuar se përpjekjet e Ministrive të Turizmit dhe Antikiteteve dhe Punëve të Jashtme të koordinuara me ambasadën ndihmuan në lehtësimin e krizës që po kalojnë turistët ukrainas.

Shoqata e Hoteleve të Egjiptit lëshoi të enjten një direktivë për të gjitha hotelet në vend për zgjatjen e qëndrimit të turistëve ukrainas dhe rusë në hotelet egjiptiane, derisa ata të kthehen në vendet e tyre.

Në konferencën për shtyp, Nechai zbuloi gjithashtu se ambasada ukrainase të mërkurën kontaktoi Organizatën Ndërkombëtare për Migracionin (IOM) për të ndihmuar në organizimin e kthimit të turistëve ukrainas në vendet fqinje të shtetit për t’u kthyer në familjet e tyre, si dhe për t’iu bashkuar rezistencës lokale atje.

Në lidhje me komunitetin egjiptian në Ukrainë, Nechai tha se, sipas vlerësimeve të Ministrisë së Arsimit të Ukrainës në vitin 2021, në Ukrainë jetojnë 6 mijë egjiptianë, përfshirë 3 mijë e 500 studentë.

Ai shtoi se Ambasada e Ukrainës në Kajro po koordinon me Ambasadën Egjiptiane në Kiev për kthimin e këtyre studentëve egjiptianë në Egjipt, derisa të zgjidhet kjo krizë.

Për më tepër, Nechai zbuloi se Ambasada e Ukrainës në Kajro ka qenë duke u koordinuar me Poloninë dhe Rumaninë në lidhje me lëshimin e vizave për studentët e përmendur egjiptianë.

Për shkak të situatës aktuale në vendin e tij, Nechai tha se studentët egjiptianë aktualisht mund të kalojnë kufirin për në Poloni ose Rumani pa pasur nevojë për vizë.

Të shtunën, ministrja e Egjiptit për Emigracionin dhe Çështjet e Mërgimtarëve, Nabila Makram, njoftoi se një grup prej 1 mijë emigrantësh egjiptianë ishin rrugës për në Bukuresht, ndërsa një grup tjetër më i vogël prej 80 egjiptianësh kanë mbërritur tashmë në kufijtë ukrainas-polakë.

Gjatë ditëve të fundit, Ambasada Egjiptiane në Ukrainë u ka kërkuar qytetarëve në pjesët perëndimore të vendit që të drejtohen në pikat kufitare me Rumaninë, Poloninë, Hungarinë dhe Sllovakinë për t’u kthyer në Egjipt përmes këtyre vendeve.

Ambasada, megjithatë, këshilloi emigrantët në kryeqytetin ukrainas të Kievit ose qytetet lindore të qëndrojnë në shtëpi ose në strehimore, duke shtuar se negociatat janë duke u zhvilluar, për t’u siguruar atyre një dalje të sigurt në anën lindore të vendit.

Gjatë konferencës për shtyp, diplomati ukrainas tha se vendi i tij po paguante çmimin e “aspiratës ekspansioniste të Presidentit rus Vladmir Putin për të rivendosur perandorinë sovjetike”.

Ndërkaq, të hënën e kaluar, presidenti rus Vladimir Putin tha në fjalimin e tij para popullit rus se Ukraina moderne u krijua tërësisht dhe plotësisht nga Rusia, më konkretisht nga Rusia komuniste, duke e përshkruar shtetësinë ukrainase si trillim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore