Zgjedhjet në Kosovë

Ambasada e Amerikës në Kosovë i fton qytetarët të votojnë


Ambasada amerikane në Kosovë

Ambasada amerikane në Kosovë përmes një postimi në Facebook u ka bërë thirrje qytetarëve që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre për votim.

“Vendimet e tyre – pavarësisht nëse i jepni përparësi shkollave, punimeve në rrugë, transportit publik, grumbullimit të plehrave ose projekte të tjera, ndikojnë në cilësinë e jetës tuaj çdo ditë. Mos e humbisni rastin tuaj për të bërë të njohur zërin tuaj”, thuhet në njoftim.

Në Kosovë të drejtë vote kanë 1 milion e 885 mijë e 448 persona në zgjedhjet lokale të dielës së këtij 17 tetori.

Fletëvotimet për zgjedhjet e 17 tetorit

Ndërsa për herë të parë në këto zgjedhje do të votojnë 41 mijë persona.

Por, gjatë këtyre zgjedhjeve do të kenë të drejtën e votës 90 mijë e 586 votues më shumë krahasuar me zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit të po këtij viti.

Numri i Qendrave të Votimit në të gjithë territorin e Kosovës është 883, me gjithsejtë 2 mijë e 477 vendvotime.

KQZ mori vendime të veçanta për certifikimin e 89 subjekteve politike (32 parti politike; 1 koalicion; 33 iniciativa qytetare; 23 kandidatë të pavarur) dhe 552 kandidatëve të tyre.

Mirëpo, numri i përgjithshëm i kandidatëve të certifikuar për pjesëmarrje në Zgjedhjet Lokale të 17 tetorit është 5 mijë e 364 kandidatë, ku nga të cilët 166 kandidatë për kryetar të komunave dhe 5 mijë e 198 kandidatë për Kuvende Komunale.

KQZ ka njoftuar se për Kryetarë të Komunave janë shtypur gjithsejtë 1 milion e 698 mijë e 600 fletëvotime, ndërsa për zgjedhjet për Kuvende Komunale janë shtypur po ashtu 1 milion e 698 mijë e 600 fletëvotime. Pra, numri i përgjithshëm i fletëvotimeve është 3 milion e 397 mijë e 200 fletëvotime.

KQZ-ja, ka shtypur 186 mijë e 848 fletëvotime më pak se sa ka votues apo në përqindje 9,91%. Kjo sipas tyre është një praktikë e ndjekur edhe në proceset e kaluara zgjedhore.

Fletëvotimet për zgjedhjet e 17 tetorit

Në zgjedhjet e fundit, ato parlamentare (të 14 shkurtit 2021) KQZ-ja kishte shtypur rreth 178 mijë fletëvotime më pak se numri i votuesve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore