Pajisje

Amazon zotohet të punësojë 5 mijë refugjatë në të gjithë Evropën


Amazon është zotuar të punësojë të paktën 5 mijë refugjatë në të gjithë Evropën gjatë tre viteve të ardhshme.

Kjo, si pjesë e një përpjekjeje të re nga dhjetëra kompani për të ndihmuar në rekrutimin e njerëzve që ikin nga lufta në Ukrainë dhe rajone të tjera të goditura nga kriza.

Angazhimi i gjigantit të teknologjisë është më i madhi midis më shumë se 40 kompanive, përfshirë Hilton, Marriott, ISS dhe Starbucks, të cilat së bashku do të punësonin më shumë se 13 mijë refugjatë.

Njoftimet u bënë në një ngjarje në Paris të organizuar nga Tent Partnership for Refugees, një grup jofitimprurës i themeluar nga Hamdi Ulukaya, shefi ekzekutiv i kompanisë ushqimore amerikane Chobani.

Lëvizja, përpara Ditës Botërore të Refugjatëve, është pjesë e lëvizjes në rritje drejt nismave të përgjegjësisë sociale të korporatave, pasi aksionarët aktivistë kërkojnë që kompanitë të marrin masa që mund të mbështesin qëllime më të gjera shoqërore.

“Një gjë që ne besojmë në Amazon është se diversiteti i punësimit na bën një kompani më të fortë”, ka thënë Ofori Agboka, nënkryetare e Amazon për përvojën dhe teknologjinë.

Edhe agjencitë e personelit Adecco, ManpowerGroup dhe Randstad kanë thënë se do të ndihmonin 152 mijë refugjatë të gjejnë punë, ndërsa Accenture, Generali dhe Indeed do të ndihmojnë në trajnimin e 86 mijë personave të tjerë të zhvendosur.

Miliona ukrainas po jetojnë tani në të gjithë Evropën, duke qenë pjesë e një krize globale të refugjatëve që OKB-ja vlerëson se ka zhvendosur më shumë se 110 milionë njerëz nga konfliktet dhe persekutimi në rajone duke përfshirë Sudanin, Sirinë, Etiopinë dhe Afganistanin.

Amazon, e cila punëson më shumë se 200 mijë njerëz në të gjithë Evropën, po bashkëpunon me Tent për të ofruar mbështetje me tarifat e imigracionit dhe ligjore, mentorimin dhe trajnimin.

Kompania do të ndihmojë punonjësit e rinj të mësojnë gjuhët lokale nëpërmjet një kombinimi të teknologjisë së përkthimit të automatizuar dhe ndërlidhjeve lokale, për të kapërcyer sfidat më të mëdha në integrimin e njerëzve të zhvendosur.

Po ashtu do të ofrojë trajnime në lidhje me IT-në për 10 mijë ukrainas në mbarë botën përmes krahut të saj të Shërbimeve Web Amazon.

Nisma vjen pas një angazhimi të mëparshëm të nisur në shtator në SHBA për të punësuar 5 mijë refugjatë deri në fund të vitit të ardhshëm.

Marrë nga “Financial Times”, përshtatur për “Albanian Post”

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore