Lajme

Aliu u kërkon komunave lokacione për ndërtimin e banesave me kosto të përballueshme


Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka kërkuar që komunat të dërgojnë lokacionet e përshtatshme për projektin e banimit të përballueshëm, meqë sipas tij, projekti i Qeverisë për banim të përballueshëm ka filluar ta marr rrugën e vetë.

“Pas realizimit të studimit të fizibilitetit, sigurimit të mbështetjes financiare dhe draftimit të Ligjit, jemi në fazën e identifikimit të lokacioneve për objektet e banimit. Tashmë kemi dërguar thirrjen nëpër komuna dhe kemi filluar të marrim përgjigjet e para”.

“Kemi kërkuar lokacione të përshtatshme të parapara në planet hapësinore lokale dhe me qasje adekuate në infrastrukturë. Do eliminojmë getot duke realizuar banimin e kombinuar social e të përballueshëm në ambiente të përshtatshme banimi”, ka thënë ai.

Sipas tij, çiftet e reja, punëtorët e administratës e familjet me të hyra të kufizuara do të mund të përfitojnë banesa me çmime të përballueshme.

Prandaj ai kërkuar nga komunat që të çojnë sa më shumë lokacione të mundshme për projektin në fjalë.

LVV kishte premtuar që ky projekt do të përfundonte në mandatin e parë të qeverisje.

4 mijë familje të Kosovës do të mund të siguronin banim në 4 mijë banesat që do t’i ndërtonte Qeveria e Kosovës, thuhej në programin qeverisës të Albin Kurtit.

Sipas këtij programi, tashmë planifikimi ishte bërë dhe ky ndërtim do të kushtonte 22 milionë euro.

Ishte emëruar edhe projekti, quhej “120×120” dhe “150×150”. Kjo sepse familjet përfituese do të bëhen pronarë të banesave me këste mujore prej vetëm 120 respektivisht 150 eurove.

Koston e këtyre ndërtimeve qeveria do ta kthente përmes pagesave mujore.

Megjithatë Qeveria e Kosovës ka hyrë në vitin e katërt të mandatit, ndërsa projekti është në fazën parapërgatitore.

Ndërtesat prej letre

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore