Lajme

Ndërtesat prej letre


Ilustrim. Foto: Albanian Post.

4 mijë familje të Kosovës do të mund të sigurojnë banim në 4 mijë banesat që do t’i ndërtojë Qeveria e Kosovës, thuhej në programin qeverisës të Albin Kurtit.

Sipas këtij programi, tashmë planifikimi ishte bërë dhe ky ndërtim do të kushtonte 22 milionë euro.

Ishte emëruar edhe projekti, quhej “120×120” dhe “150×150”. Kjo sepse familjet përfituese do të bëhen pronarë të banesave me këste mujore prej vetëm 120 respektivisht 150 eurove.

Koston e këtyre ndërtimeve qeveria do ta kthente përmes pagesave mujore.

Po afrohen dy vjet prejse Lëvizja Vetëvendosje në krye me Albin Kurtin kanë marrë pushtetin, por akoma as ligji nuk është adaptuar, lërmë fillimi i ndërtimit, aq më pak akomodimi i familjeve.

Foto: The Borgen Project, familje të cilët kanë nevojë për banim social.

Bazuar në statistikat e institucioneve, 24 mijë e 864 mijë familje janë shfrytëzues të asistencës sociale dhe pothuajse 30 për qind e popullsisë në Kosovë vlerësohet se jetojnë në varfëri.

Të gjitha këto familje kanë mbetur në pritje të projektit që as nuk ka filluar. Veç tyre, janë edhe qiftet e reja, për të cilat thuhej se do të mund të bëheshin pronarë të këtyre banesave, meqë për shkak të vështirësive fillestare, qeveria do u mundësonte blerje të banesave në kushte më të volitshme.

Përgjegjësia për realizimin e këtij premtimi qëndron tek angazhimi i Qeverisë, Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve si dhe tek Komunat.

Projekti, do të duhej të fillonte nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.

Albanian Post edhe pse ka dërguar pyetje në këtë dikaster nuk ka marrë përgjigje konkretisht për afatet, buxhetin, lokacionet, procedurat e shpërndarjes së apartamenteve nga asnjëri zyrtarë në këtë ministri deri në publikimin e këtij artikulli.

I pyetur për këtë projekt, Driton Tafallari, këshilltar politik në këtë ministri, ka deklaruar se akoma “është duke u realizuar studimi i fizibilitetit”.

Në përgjigjen e tij kuptohet se akoma as nuk janë definuar “saktë kategoritë që kanë nevojë për ndihmë”.

Madje, siç tregon ai, po pritet fizibiliteti për të treguar se cili duhet të jetë “buxhetin e nevojshëm, parcelat shtetërorë në dispozicion për projektet, modelet e implementimit, bazën ligjore (nëse ka nevojë për ndryshim) si dhe afatet e implementimit”.

“Këto informata dihen në vija të trasha, por duhet të verifikohen përmes studimit”, tha Tafallari.

Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës

Ndërsa udhëheqësi i divizionit të banimit në Ministrinë e Mjedisit Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Ramë Hamzaj, thotë se janë në bashkëpunim edhe me Ministrinë e Financave, por që as ai nuk ka ndonjë përgjigje specifike lidhur me detajet e kërkuara nga Albanian Post.

“Jemi duke punuar për përgatitjen e deklaratës financiare për implikimet buxhetore që do të bëhen në bashkëpunim të Grupit Punues me Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve, e që më pastaj do të procedohet për aprovim në Qeveri”.

Duke u bazuar në vendimet e Qeverisë për ndryshimin dhe plotësimin e Programit Legjislativ të vitit 2022 nga ministria thuhet se “projektligji duhet të miratohet në Qeveri me 30 dhjetor të 2022”.

Që ligji për banimin social akoma nuk është proceduar e konfirmon edhe kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi.

“Ligji për Banimin Social ende nuk është miratuar, ka kaluar debatin publik por ende s’ka kaluar implikimet buxhetore që i ka. Duhet dhënë viza nga Ministria e Financave”, shprehet Ibrahimi për Albanian Post.

Por, edhe sikur ligji të ekzistonte, sipas arkitektit, Lulzim Behxheti, prapë do kishte probleme.

Sepse, mungon diçka që sipas tij është akoma më i rëndësishëm se vetë ligji.

“Mungon kodi i ndërtimit”, thotë ai.

“Se së pari duhet rregulluar kodi i ndërtimit e pastaj të zhvillohen projekte të tilla. Ngase kështu si është tani, lejohet mundësia e manipulimit në fazat e ndërtimit”, deklaron Behxheti për AP.

Disa nga banesat sociale në Hajvali.

Edhe programin e qeverisë për banimin social, si arkitekt, e konsideron si jo mirë të projektuar.

“Kam dëgjuar për programin e Qeverisë për banimin social. Si ide është e shëndosh, por e mangët”, deklaron.

“Nuk ka infrastrukturë të denjë projektuese, e sidomos nuk përfillen standardet e reja të ndërtimeve efiçentë. Këtu ka mangësi të mëdha. Pra, projekti si ide ekziston, por jo komform trendëve të reja ndërtimore”.

Sipas tij, kujdes i shtuar duhet të jetë edhe tek zgjedhja e lokacioneve.

“Nuk ndërtohen banimet sociale të subvencionuara në parcelat më të çmuara të qytetit. Kjo qasje është e gabuar, sepse domosdoshmërisht e bën të mundshëm manipulimin rreth banimit dhe benefiteve. Ndërtimet e tilla duhet patjetër të bëhen në periferi. Toka është shumëfish më e lirë, e kjo mundëson që të rritet numri i banesave sociale”.

Bazuar në direktivat e institucioneve të Kosovës, personi ka të drejtë për banim social nëse ka nevojë për të, por në momentin që punësohet ai/ajo është i obliguar ta dorëzojë shtëpinë.

Komunat duhet të krijojnë ndërtesa për banim social e pastaj t’i vendosin familjet, një mënyrë tjetër është edhe pagesa e një pjesë të qirasë në lokacionet ku këto familje qëndrojnë.

Pas luftës në Kosovë, Agjencia e OKB-së për refugjatët kishte raportuar se rreth 90 mijë njerëz kanë nevojë për strehim dhe mungon një strategji e qartë e vendosur për të siguruar banim social për personat e pastrehuar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore