Shqipëria

Alibeaj thërret në mbledhje deputetët e PD-së


Enkelejd Alibeaj ka mbledhur këtë të hënë Kryesinë ku janë paraqitur 13 deputetë.

Mësohet se mbledhja nisi rreth orës 10:30.

Ata ranë dakord që në orën 12:00 të zhvillojnë një konferencë për media për prioritetet e sesionit të ri parlamentar.

Kujtojmë se, Lefter Gështenja, pak ditë para nisjes së sesionit të ri parlamentar, organizoi një takim të deputetëve të PD-së që nuk kanë mbështetur Sali Berishën.

Deputeti Gështenja mësohet se kishte kontaktuar 34 deputetë, por në mbledhje morën pjesë fizikisht vetëm 20, kurse tetë të tjerë kishin konfirmuar se mund të konsiderohen pjesë e mbledhjes.

Këta të fundit e konfirmuan votën e tyre online.

Mësohet se pika e parë e diskutimit ishte rikonfirmimi i Enkelejd Alibeajt si kryetar i Grupit Parlamentar të PD-së.

Ka qenë deputeti Gazment Bardhi që i ka kërkuar kolegëve që të shprehen për konfirmimin e Enkelejd Alibeajt në krye të grupit dhe se i duhet dhënë autoriteti për përfaqësimin e grupit parlamentar.

Për këtë, deputetët kanë qenë të unifikuar dhe kërkuan që ai të ketë një rol më aktiv dhe më vendimmarrës në lidhje me punën e grupit.

Në takim është diskutuar po ashtu edhe nevoja e ngritjes së një minikryesie përfaqësuese për organizimin e punës dhe agjendës parlamentare të deputetëve.

Pritet të ketë një mbledhje të dytë në lidhje me organizimin në terren.

Në sesionin e ri pritet të ketë edhe ndryshime sa i përket përbërjes së deputetëve në komisione.

Alibeaj në krye të grupit parlamentar të PD-së… prapë

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore