Lajme

Alec Baldwin pajtohet se në xhirimet e ‘Rust’ kishte siguri


Alec Baldwin pas tragjedisë në sheshin e xhirimit

Alec Baldwin ka shpërndarё komentet e njё anёtareje tё stafit, e cila hidhte poshtё mendimet se seti i filmit tё tij “Rust” ishte i pasigurt.

Kostumografia, Terese Magpale Davis shkroi se, “historia qё po qarkullon se jemi të mbingarkuar dhe të rrethuar nga kushte të pasigurta dhe kaotike ёshtё e pavërtetë”.

Baldwin, i cili është gjithashtu producent në film, ndau komentet e saj në Instagram me mbishkrimin: “Lexojeni këtë”.

Ylli i Hollivudit, 63 vjeç, qëlloi pёr vdekje aksidentalisht kinematografen Halyna Hutchins gjatë provave për Western-in në New Mexico muajin e kaluar. Regjisori Joel Souza u plagos.

Ndërkohë, një hetim pёr zbardhjen e rrethanave tё ngjarjes ёshtё ngritur, për të cilin sherifi i qarkut deklaroi se kishte “disa pakёnaqёsi” pёr mënyrën e trajtimit tё armëve.

Anëtarë të tjerë të ekuipazhit kanë kritikuar masat e sigurisë, si kryeelektricisti Serge Svetnoy, i cili ka shkruar në median sociale Facebook se fajësonte “neglizhencën dhe joprofesionalizmin” për tragjedinë.

Gjithashtu u zbulua se disa anëtarë të ekipit u larguan përpara aksidentit në një mosmarrëveshje për akomodimin dhe orët.

Davis tha se ekipi kryente “mbledhje tё shumta rreth sigurisё në ditë” dhe se “shqetësimet dëgjoheshin dhe u adresoheshin”.

“Goditjet me armë aksidentalisht janë më të zakonshme nga sa mendoni”, shtoi ajo.

Davis mbrojti gjithashtu eksperten e armëve të filmit, Hannah Gutierrez Reed, e cila ia dorëzoi armën ndihmës regjisorit David Halls, përpara se t’ia jepte Baldwin-it.

“Ajo kishte mësuar tek një armëmbajtës i njohur dhe kishte qenë në të njëjtin pozicion në të njëjtin lloj filmi disa muaj më parë”, shkroi Davis.

“A ishte ajo personi më me përvojë? Jo. A ishin kualifikimet e saj tipike për një nivel të parë? Po”.

Vendi i tragjedisë, ku po zhvilloheshin xhirimet e filmit të Alec Baldwin

Në prodhimin e një filmi ka disa nivele. Në bazë të tij përcaktohet buxheti i një filmi dhe njёkohёsisht dhe pagat e punonjёsve. Niveli i parë është grupi më i ulët dhe në përgjithësi do të thotë që një film ka një buxhet nën 6 milionë dollarë.

Davis e mbrojti Reedin-in kundër akuzave tё mungesёs tё përvojës, duke shkruar: “Si menodni se dikush do të mund të arrijë atë përvojë? Ne të gjithë kishim një punë të parë dhe të dytë në një moment apo në një tjetër”.

Ajo shtoi: “Asistent drejtori ynë nuk u tregoi ndonjëherë se kishte dyshime rreth sigurisë…”

Në fillim të kësaj jave, Halls tha se ishte “i tronditur dhe i pikëlluar” nga vdekja e Hutchins.

“Shpresoj që kjo tragjedi të shtyjë industrinë të rivlerësojë vlerat dhe praktikat e saj për të siguruar që askush të mos dëmtohet më gjatë procesit krijues,” shtoi ai.

Halls kishte bërtitur “armë e ftohtë”, duke treguar se ishte i sigurt, përpara se t’ia jepte Baldwin-it, sipas dokumenteve të gjykatës.

Davis tha se do të luftonte që armët e vёrteta të mos lejoheshin më kurrë në sete filmash në emër të Hutchins.

Dhjetëra kineastët më të shquar të Hollivudit, i kanё bёrё thirrje kësaj industrie që të “ndalojë të gjitha armët e zjarrit funksionale në xhirime”.

Greig Fraser (i cili ka punuar në Dune), Rachel Morrison (Black Panther), Mandy Walker (Mulan) dhe Alice Brooks (In the Heights) ishin midis 200 njerëzve që nënshkruan një deklaratë.

Alec Baldwin me gruan e tij Hilaria Baldwin pas ngjarjes tragjike, BBC

“Zotohemi se nuk do ta vendosim më veten dhe ekuipazhin tonë në këto situata vdekjeprurëse të panevojshme. Kemi alternativa të sigurta pёr efektet vizuale dhe armët e zjarrit jofunksionale”, thuhej nё tё.

“Ne nuk do të presim që industria të ndryshojë. Ne kemi për detyrë të bëjmë ndryshime brenda industrisë vetë”.

Prodhimi i “Rust” është pezulluar për një kohë të pacaktuar derisa autoritetet tё mbyllin hetimet mbi të shtënat. Prokurorët kanë thënë se është shumë herët për të thënë nëse do të ngrihen kallëzime penale.

Nga ana tjetёr, bashkëshortja e Baldwin-it, Hilaria, postoi një mesazh në median sociale Instagram ku dënonte paparacët për ngacmimin e familjes së saj që nga momenti pas ngjarjes.

“Ata nuk e kanë respektuar kërkesën tonë për privatёsi edhe pas intervistёs. Ne po udhёtonim me fёmijёt tanё kur jemi ndjekur nga makina. Kjo është e rrezikshme”, tha ajo.

Aktori foli publikisht për xhirimet gjatë fundjavës, duke e quajtur atë një “ngjarje një në një trilion”.

“Hutchins ishte mikesha ime. Ne ishim një ekip shumë shumё i mirё dhe më pas ndodhi kjo ngjarje e tmerrshme”, u tha ai fotografëve në Vermont.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore