Lajme

Aleanca për Shqiptarët në bisedime për t’iu bashkuar koalicionit qeveritar në Maqedoninë e Veriut


Ilustrim

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, priti të martën në zyrën e tij kryetarin e Aleancës për Shqiptarët (ASH), Arben Taravari, për të biseduar lidhur me mundësinë e përfshirjes së ASH-së në koalicionin qeveritar.

Jo zyrtarisht, raportohet se ASH kërkon Ministrinë e Drejtësisë dhe atë të Shëndetësisë ndërsa synon të marrë edhe shumë drejtori por, Taravari hodhi poshtë zërat për ndarje të pozitave qeverisëse ndërsa iu tha gazetarëve se partia e tij ka profesionistë të mirë për ta drejtuar Ministrinë e Shëndetësisë.

Mirëpo, ai pas takimit me Kovaçevskin tha se ka shumë gjasa që ASH të bëhet pjesë e shumicës ekzekutive sepse siç tha ai, kanë rënë dakord për shumicën e pikave të programit qeverisës dhe se në ditët në vijim do të diskutohet për drejtimin e ministrive.

“Në përgjithësi, 90 për qind e angazhimeve programore janë të sinkronizuara. Nuk janë diskutuar zgjedhjet e personelit, por pres që edhe këtë do ta diskutojmë këto ditë. Sot u fokusuam në objektivat e programit dhe periudhën që do të duhet të largojmë. Nuk ka ofertë nga kryeministri për zgjidhje kadrore, për dy-tre ditë do të arrijmë marrëveshje”, tha Taravari.

ASH ka tetë deputetë në parlament dhe qëllimi i kryeministrit Kovaçevski për futjen e saj në qeveri është përforcimi i shumicës parlamentare, si dhe përgatitja për arritjen e dy të tretave të domosdoshme për rishikimin e Kushtetutës.

Qeveria e Maqedonisë së Veriut lëshoi një komunikatë në të cilën thuhet se në takimin Kovaçevski – Taravari theks i veçantë i është kushtuar luftës kundër korrupsionit në kontekstin e proceseve reformuese si dhe procesit të përshtatjes së ligjeve me ato të Bashkimit Evropian.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore