Lajme

Albulena Haxhiu bën sërish politikë me mostrat e Astrit Deharit – i kërkon llogari opozitës për “zhdukjen dhe gjetjen” e tyre


Foto: Albanian Post.

Më 29 mars Albanian Post raportoi se mostrat e ish aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, janë gjetur dhe janë kompletuar, pasi ishin zhdukur më 8 dhjetor të 2022-së.

Ky raportim dërgoi në përplasje mes pushtetit dhe opozitës duke akuzuar njëra-tjetrën për humbjen e tyre – ndonëse akoma s’ka përgjigje konkrete nga institucionet lidhur me gjetjen e tyre.

Që nga 29 marsi AP kishte dërguar pyetje në ministrinë e Drejtësisë nëse ky institucion kishte pranuar ndonjë informacion për gjetjen e tyre, por që në një përgjigje të shkurt më 2 prill u tha se, “lidhur me kërkesën tuaj, ju lutem t’i drejtoheni institucionit përkatës, në këtë rast Prokurorisë”.

Ndonëse pyetjet në drejtim të Prokurorisë janë dërguar, Albanian Post deri në momentin e publikimit të këtij artikulli s’ka pranuar përgjigje.

Një javë pas raportimit, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) fillimisht përmes një konference për media nga deputeti Abelard Tahiri, kërkoi nga ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, që të përgjigjet në disa prej pyetjeve që sipas tij kërkojnë sqarim për opinionin publik.

“Kush i vodhi mostrat e rastit Dehari? Ku qëndruan ato për një vit e gjysmë? Për çka shërbyen ato mostra jashtë Institutit? A pati ndërhyrje në mostra në kohën sa ishin jashtë Institutit? Kush i ktheu ato? Pse nuk pranuat ta votoni komisionin hetimor parlamentar për zhdukjen e këtyre mostrave? Nuk mund të fshiheni nga e vërteta! Ne nuk do të ndalemi deri të sqarohet gjithçka!”, kishte thënë ai.

Kërkesën e ngjashme e bëri sërish Tahiri të hënën.

Kështu duke marrë një përgjigje nga ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Haxhiu, kërkoi nga Prokuroria Speciale që deputeti Tahiri, të thirret si dëshmitar për rastin e ish aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, pasi që i njëjti në konferencë për media ka lënë të nënkuptohet se mund të ketë qenë i informuar nga pranvera e vitit 2022, për zhdukjen e mostrave të Deharit.

“Aludimi i tij në Konferencën e djeshme për media, se Kryeministri dhe Kryetari i Kuvendit kanë qenë në njohuri për zhdukjen e mostrave të rastit Dehari, që në pranverën e vitit 2022, zgjon dyshimet e bazuara se mbase z.Tahiri ka qenë i informuar që prej asaj kohe”, ka shkruar Haxhiu të hënën në rrjetin social ‘Facebook’.

Ajo theksoi se në momentin që ishte informuar për zhdukjen e mostrave të Deharit, fillimisht i kishte njoftuar institucionet e rendit e pastaj publikun.

“Për zhdukjen e mostrave të Astrit Deharit, i kam njoftuar institucionet e drejtësisë në orët e mbrëmjes së 7 dhjetorit të vitit 2022, ndërsa opinionin publik përmes konferencës për medie më 8 dhjetor 2022. Për të gjitha këto ekzistojnë dëshmitë”, ka shkruar ajo.

Ndërsa, avokati i rastit Dehari, Tomë Gashi, njoftoi të hënën se kanë dërguar kërkesë në Prokurorinë Speciale për t’u njoftuar për gjetjen e mostrave të Astrit Deharit, pas raportimit por që s’kanë pranuar përgjigje.

“1 javë më herët është raportuar në media se kinse janë gjetur një pjesë e mostrave të zhdukura nga IML-ja apo të njejtat janë gjetur në IML. Edhe pse shumë herë ju kemi drejtuar me shkrim dhe kemi kërkuar që të na njoftoni lidhur me zhdukjen/gjetjen e mostrave të Astrit Deharit deri më tani nuk kemi marrë asnjë përgjigje nga ju”, thuhet në kërkesën e Gashit drejtuar Prokurorisë Speciale.

Burimet e AP-së brenda Institutit të Mjekësisë Ligjore (IML), thanë se mostrat janë gjetur nga Komisioni i Inventarizimit.

Duke theksuar se s’kanë njohuri për personat që i morën apo i kthyen ato.

“Kush i mori dhe kush i ktheu ose s’i ka marrë askush ne nuk e dimë akoma. Ka mundësi edhe që janë gjetur më herët, por janë zyrtarizuar tani”.

Por që sipas tij, hetuesia nga Policia e Kosovës, kishte qëndruar më 29 mars në institut për këtë arsye.

Sipas informacioneve që ishin bërë publike në dhjetorin e 2022-së ishte thënë se mungonin 12 epruveta me gjak.

Nga Instituti i Mjekësisë Ligjore, kur ishin pyetur nga gazetarët për video-incizimet ku shihet se kush i ka zhdukur mostrat e aktivistit Astrit Dehari, kishin thënë “se nuk kanë pasur qasje në ato video, sepse janë marrë nga Policia e Kosovës me urdhër të Prokurorisë Speciale”.

“Ne i kemi kamerat të cilat e survejojnë hapësirat e IML-së duke përfshirë edhe ato të laboratorit, ato incizohen në serverët tanë të cilët janë marrë nga policia, dhe ne nuk i kemi parë, vetëm policia për momentin ka qasje në ato video dhe vetëm ata mund të thonë nëse ka diçka konkrete lidhur me këtë apo jo”, kishte thënë Ditor Haliti – drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore.

Kur dhe si u zhdukën mostrat e Astrit Deharit?

Në një konferencë për media më 8 dhjetor të 2022-së, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, kishte bërë të ditur se ishin zhdukur mostrat e Astrit Deharit – aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, i cili u gjet i vdekur në qelinë e burgut në Prizren më 5 nëntor të vitit 2016 – nga laboratori i toksikologjisë.

Për Haxhiun, ky akt përveç se ishte i rëndë ishte edhe kriminal.

“Për këtë arsye mbrëmë e kam njoftuar Kryeprokurorin e Shtetit, Besim Kelmendin si dhe Drejtorin e Policisë, Fehmi Hoti. Sot në mëngjes kam vizituar Institutin e Mjekësisë Ligjore dhe nga zyrtarët kompetent jam njoftuar si në vijim”.

Për këtë rast, katër persona të dyshuar u suspenduan.

Ata u suspenduan nga IML më tetë dhjetor 2022, por u rikthyen në punë më 19 shkurt 2023, pas një vendimi të Komisionit Disiplinor brenda Institutit.

Zhdukja e mostrave të Astrit Deharit nga Instituti i Mjekësisë Ligjore, sipas Haxhiut janë vërejtur në momentin kur mostrat nga frigoriferët e vjetër janë bartur në frigoriferët e rinj.

“Gjatë bartjes së mostrave, një zyrtar ka vërejtur se mungojnë mostrat me disa kode. Zyrtari ka marr kodet dhe ka kontrolluar se cilat mostra janë në pyetje dhe më pastaj është marr vesh se bëhet fjalë për mostrat e Astrit Deharit”.

“Hera e fundit kur mostrat janë bartur është në tetorin e vitit 2021, pra nga Tetori deri sot, nuk dihet saktë kur janë zhdukur mostrat”, kishte thënë Haxhiu.

Aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, u gjet i vdekur në qelinë e burgut në Prizren më 5 nëntor të vitit 2016.

Dehari ishte anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje, i arrestuar bashkë me disa pjesëtarë të tjerë të kësaj lëvizje, nën akuzat se kanë sulmuar Kuvendin e Kosovës.

Ai vdiq në burg.

Zyrtarisht u konstatua se ka bërë vetëvrasje, por Vetëvendosje ishte e bindur se dikush e ka vrarë atë.

Nga atëherë, provat janë dërguar edhe në institute jashtë vendit, por nuk është arritur të konstatohet se ka pasur persona të tjerë të përfshirë në vdekjen e Deharit.

Familja e tij, qysh nga vdekja, po vazhdojnë betejën për zbardhjen e rastit. Ata, njëjtë si Vetëvendosje, janë të bindur se dikush ua vrau djalin.

Gjenden të gjitha mostrat e Astrit Deharit – s’dihet kush i mori e s’dihet kush i ktheu

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore