Lajme

Alarmi – Vetëkritika evropiane përmes Josep Borell


Foto nga Albanian Post

I janë dashur referenca filozofike, historike, politike dhe ekonomike, Josep Borellit, shefit të diplomacisë evropiane, në fjalimin e tij të gjatë në Konferencën Vjetore të ambasadorëve të Bashkimit Evropian, për të alarmuar rreth pozicionit të Evropës në rendin e ri botëror me disa qendra influence dhe brenda një mjedisi krejtësisht kaotik, shkruan Albanian Post.

Mekanizëm i madh, por apatik, shumë burokratik që gati se e ka humbur vetën me zyrtarë dembelë që kanë dështuar edhe ta prezantojnë zërin dhe vlerat evropiane, por edhe ta dëgjojnë vëmendshëm palën tjetër, ishte përshkrimi i Borell për anëtarët e delegacioneve.

Prandaj BE-ja, siç e përshkruan Borell, për gjatë viteve e la veten të varur nga energjia ruse, tregu kinez dhe forca amerikane.

“Jemi tepër shumë Kantianë e jo mjaftueshëm Hobsianë, siç do të thoshin filozofët. Le të provojmë ta kuptojmë botën ashtu siç është dhe ta sjellim zërin e Evropës”, pohoi Borell.

Evropianët, tha ai, duhet t’u përgjigjen dy llojeve të pyetjeve: atyre që fillojnë me “Çka” dhe të tjerave që pyesin “Si”.

“Çka po ndodhë? Çka po vjen? Çka duhet të bëjmë ne?”, dhe “Si të veprojmë? Si të punojmë? Si të punoni ju ambasadorë? Si mund të arrijmë më shumë rezultat dhe rezultat më të mirë?”.

Nuk është koha dhe as momenti, deklaroi Borell, “t’iu japim lule dhe t’iu them se sa bukur dukeni, se po punoni shumë mirë dhe jemi të lumtur e jemi një familje e madhe e të tjera”.

“Është momenti ta bëjmë një bisedë mes vete se çfarë s’po bëjmë mjaftueshëm mirë, pse s’jam gjithmonë i lumtur me mënyrën se si punojnë delegacionet e BE”.

Prandaj, deklaroi Borell, ka ardhur koha që “të dërgojmë mesazh të qartë se si duhet të përmirësohemi”.

“Ka ardhur koha edhe ta shqyrtojmë se si evropianët e shohin botën sot. Të përgjigjen sinqerisht në pyetjen se ‘çfarë bote është kjo?’”.

“Është një botë e pasigurisë radikale. Shpejtësia dhe rrezja e ndryshimeve është e paparë. S’duhet më të provojmë e ta mohojmë. S’duhet t’i rezistojmë. Do ishte një përpjekje shterpe. Duhet ta pranojmë dhe të adaptohemi duke prioritizuar fleksibilitetin dhe qëndrueshmërinë”.

Por, një gjë duhet të jetë krejtësisht e qartë në këtë botë të re, u tha Borell anëtarëve të delegacioneve të BE-së, “sot pasiguria është rendi”.

“Zhvillime që një herë dukeshin të paimagjinueshme për të ndodhur, po ndodhin njëra pas tjetrës”.

Duke përdorur një metaforë, Borell shtoi se “me këtë ritëm, mjellma të zeza do jenë shumica”.

“S’ka më mjellma të bardha, të gjitha do jenë të zeza, sepse kanë ndodhur gjëra njëra pas tjetrës, që dikur i mendonim si me shumë pak gjasa për të ndodhur”.

“Megjithatë, ndodhën”.

Pjesën tjetër të fjalimit, Borell e ka përqendruar në përshkrimin e Evropës sot, një pozicion që shkakton dhimbje për politikëbërësit evropianë.

“Më lejoni t’ua përmbledhë çfarë po na ndodhë ne sot”, u tha delegacioneve.

“Mendoj se ne evropianët po ballafaqohemi me një situatë në të cilën vuajmë pasojat e një procesi që ka zgjatur prej vitesh dhe në të cilin kemi bërë shkëputje të burimeve të prosperitetit tonë nga burimet e sigurisë sonë”.

“Prosperiteti ynë është bazuar në energji të lirë nga Rusia. Gazi rus i lirë, dhe gjoja i përballueshëm, i sigurt dhe stabil. U dëshmua se s’ishte kështu. Dhe qasja në tregun e madh të Kinës, për eksporte dhe importe, për transfere teknologjike, për investime, për të mira materiale të lira. Por, mendoj se punëtorët kinezë me pagesat e tyre të vogla kanë bërë më shumë për ta mbajtur inflacionin se të gjitha bankat qendrore evropiane së bashku”.

“Pra, prosperiteti ynë ishte bazuar në Rusinë e në Kinën – energjia dhe tregjet. Është e qartë tashmë, sot na duhet të gjejmë rrugë të reja për energji në BE. Por, na duhet të gjejmë energji brenda BE-së, sepse s’mund ta zëvendësojmë një varësi nga një varësi tjetër. Energjia më e mirë është ajo që e prodhon në shtëpi”.

Në anën tjetër, “qasja në Kinë po bëhet më e vështirë gjithnjë. Transformimet që duhet t’i bëjmë do jenë të vështira, dhe do krijojnë probleme politike”.

Por, këto s’janë të vetmet shqetësime që Evropa i ka, sipas Borell.

“Në anën tjetër, ne ia delegojmë sigurinë tonë Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, thotë ai.

Përkundër bashkëpunimit të jashtëzakonshëm që e ka aktualisht Evropa me Amerikën, “kush e di çfarë do të ndodhë pas dy muajsh”.

“Çfarë do të ndodhte nëse në vend të Biden do të fitonte Trump, ose dikush si puna e tij? Cila do të ishte përgjigja e SHBA-ve ndaj luftës në Ukrainë? Cila do të kishte qenë përgjigja jonë në një situatë tjetër?”.

“Këto janë disa nga pyetjet që duhet t’ia shtrojmë vetës. Dhe përgjigja për mua është e qartë: ne duhet të mbajmë më shumë përgjegjësi për vetën (jo t’i delegojmë). Duhet ta luajmë rol më të madh në sigurimin e vetës”, deklaron Borell.

“Ti (SHBA-ja) kujdesu për sigurinë tonë, ti (Kina dhe Rusia) kujdesu për energjinë e tregjet. Por jo. Kjo botë s’ekziston më”.

Këto dhe rritja e të djathtës në shtetet evropiane ka “krijuar një koktej problemesh të vështira të jashtme dhe të brendshme”, tha Borell.

“Kemi sfida të sigurisë dhe kohezioni ynë i brendshëm është në rrezik”.

Borell u thotë evropianëve edhe se më nuk duhet ta mendojnë situatën sikur dikur. Sepse, siç e kanë parë veta ata, “kanë ndodhur gjëra që na kanë zënë në befasi”.

Ai ka marrë shembullin e fundit të lutës në Ukrainë, se si, ndryshe nga amerikanët, evropianët nuk bindeshin dot se do të ketë luftë.

“Më duhet ta pranoj, se amerikanët na thoshin: ‘ata do të sulmojnë, do të sulmojnë’ dhe ne s’e besonim dot. Dhe e mbaj mend shumë mirë kur, Tony Blinken më thirri dhe më tha: ‘do të ndodhë këtë fundjavë’. Dhe dy ditë më vonë, në 5 të mëngjesit filluan ta bombardojnë Kievin. Ne s’e besonim se do të ndodhte, aq më tepër nuk e parashikuam se Ukraina ishte gati të rezistonte në këtë mënyrë të jashtëzakonshme siç po bëjnë”.

Çështja e dytë që shtroi Borell është “konkurrenca e thellë në mes të SHBA-ve dhe Kinës” dhe gjithashtu “kriza e ushqimit dhe energjisë”.

“E keqja është se jemi veç në fillim. Kriza e ushqimit do t’i bëjë gjërat akoma më të rënda në shumë pjesë të botës”.

Pastaj për çështjen e sigurisë, Borell shton se evropianët nuk duhet ta limitojnë atë në rastin e Ukrainës, shkruan Albanian Post.

“Kemi edhe shumë telashe te fqinjët tanë, dhe gjithashtu ajo që po ndodhë në Sahel (rajon në Afrikë). Ne do të duhej ta parashikonim edhe këtë, ndikimin e Rusisë në Afrikë. Prandaj mos shikoni vetëm në Ukrainë”, deklaron përfaqësuesi i Politikës së Jashtme të BE-së duke tërhequr vërejtjen e zyrtareve të unionit.

Ai ka kërkuar një analizë “të mega trendeve që po formësojnë botën tonë”. Ukrainën po, por jo vetëm Ukrainën.

“Vitin e kaluar të gjithë po flisnin për Afganistanin. Afganistani ishte çështja e madhe, ju kujtohet. Ku është tash Afganistani? Nuk është më në faqe gazetash. Ngjan sikur Afganistani nuk ekziston më. Problemet atje vazhdojnë të ekzistojnë, por s’flet më kush për to. Prandaj, kujdesuni për çështjet që shfaqen – një krizë, pastaj një krizë tjetër e shlyen atë të mëparshmen”.

Borell ka folur edhe për atë që e ka quajtur “multipolaritet kaotik”.

“Kemi garën Kinë-SHBA, e gjithë bota po strukturoret rreth kësaj gare – na pëlqeu ose jo. Këto dy fuqi të mëdha – shumë, shumë, shumë, tepër shumë të mëdha – po garojnë dhe kjo garë do ta ristrukturojë botën. E gjitha kjo do të bashkëjetojë në një ndarje të madhe mes ‘demokracive vs. aristokracive’. Po këtu s’po ndalem shumë se as s’mund të them ne jemi ana e demokracisë. Kjo s’është e vërtetë. Ka një luftë mes këtyre dy sistemeve, por më duhet të them se sistemi autokratik po zhvillohet shumë. Jo vetëm Kina, jo vetëm Rusia. Por, ka trend autoritar. Nganjëherë, na vijnë me kostume të demokracisë, por s’janë më demokraci, madje disa as që lodhen të duken demokraci më. Pra, edhe kjo garë është një forcë që strukturon të ardhmen. Por, ka akoma më shumë se kaq”.

Borell, duke folur për gjeopolitikën e momentit, deklaron se “bota më s’është bipolare e pastër”.

“Kemi shumë lojtarë e shumë pole, secili duke shikuar interesin e vetë në raport me vlerat e veta. Shih Turqinë, Indinë, Brazilin, Afrikën e Jugut, Meksikën, Indonezinë. Ata janë fuqi e mesme. Janë shtete që ndërrojnë anë – votojnë në njërën ose anën tjetër varësisht nga interesi i tyre, e jo nga vlerat e tyre në teori. Por, këto shtete, janë lojtarë dhe pole. Kjo krijon këtë shumëpolaritet kaotik. Këto shtete s’na përcjellin ne gjithmonë. A e dëgjuat presidentin meksikan dje. Kush është këtu delegati jonë në Meksikë, a e ke dëgjuar Andrés Manuel López Obradorn, çfarë ka thënë|?”.

Tjetër gjë me rëndësi Borell deklaroi se është “municionizimi i botës”.

“Është një botë garuese ku gjithçka përdoret si armë. Gjithçka është armë sot: energjia, investimet, informatat, migrimi, të dhënat, gjithçka. Ka luftë globale për qasje në disa domene strategjike”.

Dhe një tjetër shqetësim për të cilin Evropa s’ka pasur vesh e duhet të ketë, sipas Borell, është rritja e nacionalizmave nëpër botë.

“Revizionizmi, plus politikat identitare. Putini nuk dëshiron ta rikthejë komunizmin. Ai e di që atë s’e do më kush. Putin po përdorë një resurs të përditshëm shumë të fuqishëm dhe që nuk zhduket kurrë: nacionalizëm radikal”.

Veç këtyre komplikimeve globale, Borell thotë që është edhe një pjesë tjetër e botës që Evropa s’e ka trajtuar si duhet – Jugu Global (Amerika Latine, Azia, Afrika dhe Oqeania).

“Ata njerëz nuk duan që të sforcohen për t’u bërë palë në garën gjeopolitike. Më e rëndësishmja, ata ndjejnë se sistemi global nuk u ka shërbyer atyre, dhe s’po marrin pjesën që u takon. S’po u japim meritat që mendojnë se i kanë. S’e kanë rolin që do të duhej ta kishin, sipas numrit të banorëve dhe ekonomisë që gjenerojnë. Dhe kur ballafaqohemi më këto kriza të shumëfishta – këto kriza multipolare – financiare, të ushqimit e të energjisë, është e qartë se ata s’janë në anën tonë, sepse për ta ne jemi fajtorët”.

Në fjalimin e tij Borell e ka trajtuar aktualitetin të njëjtë me situatën e para luftës së dytë botërore.

“Po e shohim se luftërat mes shteteve po kthehen – sikur në filma. Sikur në Luftën e Dytë Botërore. Por, përveç kësaj, janë edhe luftërat hibride, lufta e dezinformatave që po vazhdon”.

“Kjo është situata që na pret. Me këtë situatë duhet të ballafaqohemi”, theksoi Borell.

Prandaj, shton ai, “ne duhet të mendojmë më politikisht. Të jemi më proaktivë e më reaktivë. Duhet të bëjmë një lidhje mes gjithë këtyre problemeve”.

“Ne ende operojmë veç e veç (silios) nga bunkeri. Unë do të duhej të isha personi që ndërlidhë Komisionin me Këshillin dhe brenda Komisionit kolegët e mi nga fusha të ndryshme. Por, ne vazhdojmë të punojmë të vetmuar, dhe secili ka logjikën e vet, ritmin e vet”.

Ai ka kritikuar të pranishmit për mungesë të vetëdijes që të funksionohet brenda “unionit si një”.

“Mendojmë tepër shumë individualisht dhe më pas provojmë të eksportojmë modelet tona, por nuk mendojmë se si të tjerët do t’i pranojnë këto eksporte të modeleve. Po, e kemi ‘efektin e Brukselit’, por besoj se çdo ditë e më tepër pjesa tjetër e botës nuk është gati që të përcjellë modelet tona”.

Nuk funksionon më, tha Borell, që evropianët të përdorin strategjinë “ky është modeli ynë, është më i mirë, përcilleni”.

“Për arsye kulturore, historike dhe ekonomike, më nuk pranohet kjo”.

“Duhet të dëgjojmë më shumë, duhet të jemi shumë më shumë në gjendje dëgjimi të palës tjetër – pala tjetër është pjesa tjetër e botës. Duhet të tregojmë më shumë empati. Ne kemi vesin që të mbivlerësojmë argumentin racional. ‘Ne jemi toka e arsyes’. Ne mendojmë se dimë më mirë çka është interesi i atyre. Ne harrojmë rolin e emocioneve dhe apelin e vazhdueshëm të politikave identitare”.

“Mbajeni mend këtë fjali ‘është identiteti, idiot’. S’është më ekonomia, është identiteti. Nga dita në ditë, disa identitete po zgjohen dhe duan njohje e pranim dhe të mos mbyten nga qasja ‘perëndimore’”.

Pas këtyre sqarimeve, Borell ka vazhduar me ligjërimin e tij duke u thënë zyrtarëve evropianë se si duhet tash e tutje të sillen në raport me këto zhvillime.

“Duhet të jemi më të shpejtë dhe të marrim rreziqe përsipër. Dua që të raportoni shpejt, në kohë reale se çfarë po ndodhë në vendet ku jeni me detyrë. Dua të informohem nga ju, jo nga shtypi. Nganjëherë, di më shumë se çfarë po ndodhë në ndonjë vend duke lexuar gazetat se duke lexuar raportet tuaja. Raportet tuaja vijnë tepër vonë. Nganjëherë kur lexoj diçka pyes ‘çfarë thotë për këtë punë delegacioni jonë në atë vend’ dhe marrë përgjigje se ‘aktualisht asgjë’. ‘Aktualisht asgjë’ nuk lejohet më. Duhet të jeni në kapacitet reagimi 24 orë – diçka ndodh, ju informoni. Nuk dua të vazhdoj të lexoj në gazeta për gjërat që ndodhin, derisa delegacioni ynë nuk ka thënë asnjë gjë për atë çështje”.

“S’dua të kritikoj e fajësoj, por këtë mu desh t’ua them. Ju dua më aktivë, 24 orë në ditë. Po jetojmë në një krizë, futuni në gjendje krize edhe ju. Shpjegoni se çfarë po ndodhë – shpejt, menjëherë. Edhe nëse s’e keni informacionin e plotë në orët e para, na tregoni se jeni aty. Unë do duhej të isha njeriu më i informuar në botë. Duke ju pasur gjithë juve nëpër botë, do të duhej të kisha informatat më të mira në botë. Unë jam Ministri i Punëve të Jashtme të Evropës. Silluni sikur do silleshit në Ambasada: dërgoni një telegram, një lajm, një e-mail, shpejt. Shpejt ju lutem. Reagoni”.

“Merrni më shumë iniciativa. Bëhuni gati të jeni të guximshëm. Çfarëdo që bëjmë, do të ketë vendime që thyejnë tabutë. Thyem tabu në luftën në Ukrainë, duke përdorur Fasilitetin Evropian të Paqes për të blerë armë – diçka që në fillim ishte ‘oh kjo është e pamundur, s’e kemi bërë kurrë’. ‘S’e kemi bërë kurrë’ më nuk është receta. Ndoshta na duhet të fillojmë të bëjmë gjëra që s’i kemi bërë kurrë në të kaluarën. Kur hezitojmë, i biem pishman”.

Borell ka marr shembullin e Ukrainës se si Evropa e mendonte të dërgonte një mision trajnues atje në rast se rrezikon lufta, por më pas e lanë, me idenë që s’mund të bëhet luftë dot dhe kur ndodhi u bën pishmanë që s’kishin reaguar shumë më parë.

“Tani po e bëjmë shpejt e shpejt, nejse, shpejt për standardin evropian që i bie brenda disa muajsh”.

“Ju lutem, jeni më të mirë në shpjegime dhe më të përgatitur se çfarë bëjmë në raport me oraret që i japim. Duhet të kemi një balancim mes gjërave që i njoftojmë dhe atyre që i implementojmë, sepse nganjëherë po diskreditohemi, kur njoftojmë diçka dhe nuk e përcjellim me veprim konkret”.

Borell ka përmendur edhe një herë faktin se si Evropa nuk duhet të krijojë varësi të tjera, siç e kishte atë të gazit me Rusinë.

“Edhe në Pragë, Emmanuel Macron e tha qartë se: s’mund të zëvendësojmë varësitë nga një aktor në tjetrin. Jemi të lumtur që po importojmë gaz nga SHBA-të (me çmim shumë të lartë meqë ra fjala) dhe po e zëvendësojmë atë nga Rusia. Por, çfarë do ndodhë nesër nëse në SHBA vjen një president tjetër dhe vendos të mos jetë kaq miqësor me evropianët. Pse jo?”.

“S’po e kuptojmë se jemi duke krijuar varësi të reja në këtë lidhje mes energjisë, klimës, teknologjisë. Këtu duhet të jemi fort të qartë”.

Krejt në fund, Borell është kthyer prapë te komunikimi që Evropa bën me botën.

“Jam ende i befasuar, se si disa delegacione tonat nuk e marrin fort në konsideratë komunikimin, nuk lëshojnë cicërima në Twitter mesazhet tona, nuk i shpërndajnë ato. Ju do duhej të ishit një rrjet që përsëritë, transmeton, insiston”.

“Kjo është një betejë që s’po e fitojmë, sepse s’po luftojmë mjaftueshëm. Nuk po e kuptojmë që është një luftë, para se të pushtoni një hapësirë, duhet të pushtoni mendjet. Rusët dhe kinezët janë shumë të mirë në këtë drejtim. Ata po e industrializojnë, ata kanë ferma që vazhdimisht përsërisin mesazhin, arrijnë gjithkë në botë – vazhdimisht. Ne s’kemi një Russia Today as një Sputnik, as Radio Lirinë. Të gjithë duhet të bëni më shumë në fushën e komunikimit. Ne u ofrojmë materialet dhe kam ndjenjën se ju s’po bëni mjaftueshëm për ta transmetuar mesazhin fuqishëm”.

“Dua që delegacionet e mia ta rrisin prezencën në rrjete sociale, në televizione, në debate. Shpërndani mesazhet tona, materialet tona. Shpërndani ato që them unë. Farkëtojeni për rrethanat lokale, përdorni gjuhen lokale. Ne flasim anglisht, por një pjesë e madhe e botës nuk flet anglisht, nuk na kupton nëse u adresohemi veç në anglisht. Bëjeni në gjuhë lokale”.

“Dua që të angazhoheni shumë më shumë në betejën e narrativave. S’është dytësore kjo punë. Nuk fitohet lufta veç të dërgosh tankse, raketa, dhe ushtarë. Është betejë më e madhe: kush do ta fitojë zemrën dhe shpirtin e njerëzve?

Borell ka kujtuar se bëhet fjalë për rivalitet sistemik, pra një rivalitet sistemesh, shkruan Albanian Post.

“Kina po mundohet t’ia shpjegojë botës se sistemi i tyre është më i mirë”, thotë Borell.

“U thotë: mirë mbase qeverinë nuk e zgjedhni me zgjedhje të lira, por do keni ushqim, ngrohje, shërbime sociale, do përmirësoni kushtet e jetës. Shumë njerëz në botë votojnë dhe zgjedhin qeverinë, por kushtet materiale s’u përmirësohen. Në fund të fundit, njerëzit duan një jetë më të mirë”.

“Ne duhet të shpjegojmë se cila është lidhja mes lirisë politike dhe jetës më të mirë. Ne, evropianët, e kemi këtë mundësi të jashtëzakonshme. Ne jetojmë në një vend ku liria politike, prosperiteti ekonomik dhe kohezioni social janë kombinimi më i mirë. Lufta jonë është që ta shpjegojmë se demokracia, liria, liria politike nuk është diçka që këmbehet për prosperitet ekonomik ose kohezion social. Të dyja duhet të shkojnë bashkë. Ndryshe, modeli jonë do venitet, nuk do jetë e mundshme të mbijetojë në këtë botë”.

“Jemi tepër shumë kantianë e jo mjaftueshëm hobsianë, siç do thoshin filozofët. Le të provojmë ta kuptojmë botën ashtu si është dhe ta sjellim zërin e Evropës. Dhe më sillni mua, stafit tim, çfarë ndjeni, çfarë po kuptoni, çfarë po shihni. Ju jeni sytë e mi dhe veshët e mi nëpër botë. Unë llogarisë në ju, por detyra nuk është e lehtë dhe mund të bëjmë shumë më mirë”, pohoi Borell në fund të adresimit të tij për delegacionet e BE-së nëpër botë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore