Lajme

Akuzoi ushtarin e FSK-së ende pa folur drejtësia, “Rashiç të shkarkohet menjëherë”


Ndonëse ende nuk është vërtetuar nga Gjykata se pjesëtari i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Azem Kurtaj, shtiu për t’i vrarë dy të rinj serbë në Shtërpcë të premten e 6 janarit, ministri për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiç, theksoi se është i bindur që ishte “tentativë për vrasje”. Por, nga përfaqësues të partive politike nga opozita dhe njohës të çështjeve të drejtësisë po shihet si qasje paragjykuese dhe e pa përgjegjshme, prandaj, po kërkohet shkarkimi i Rashiç-it.

Këshilltar juridik i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Faton Fetahu, thotë për Albanian Post se shpreh mospajtimin e tij të thellë parimor për sa i përket qasjes paragjykuese që u zhvillua lidhur me këtë incident, si nga ana e shoqërisë civile, medieve dhe politikanëve.

“Deklarimet e zotëri Rashiç, janë të papranueshme aq më tepër që i njëjti ushtron pozitën e ministrit në Qeverinë e Republikës së Kosovës. Edhe në fillim të procedurës penale janë të barabartë si viktima e supozuar ashtu edhe i dyshuari i cili më vonë mund të jetë i akuzuar ose edhe i dënuar. Rëndësi ka që vendimet gjyqësore të bazohen në fakte e prova dhe jo nën ndikimin e opinionin publik”, tha Fetahu.

Prandaj, ai thekson se ngarendja e këtyre aktorëve që të japin reagimet e tyre në formën e ‘gjykimeve finale’, e dëmton cilësinë e procedurës penale dhe përbën presion të hapur publik ndaj vendimeve të institucioneve të drejtësisë, duke cenuar e shkelur edhe të drejtat e palëve në procedurë.

Fetahu ka deklaruar se fakti që Rashiç këto deklarime i ka bërë në cilësinë e ministrit, përbën shembull të keq të tolerimit dhe të promovimit të qasjeve të tilla nga një qeveri apo me saktë veçanërisht nga ky ekzekutiv.

“Komentimi i papërmbajtur dhe gjyqi publik që u zhvillua në raport edhe me këtë rast, i cili, për sa u kuptua deri më tani, nuk e ka asnjë lidhje me motive etnike, ju dha hapësirë të mjaftueshme viktimizimi për qëllime të përfitimeve politike edhe përfaqësuesve politikë të komunitetit serb”.

“Me keqardhje konsideroj se nga kjo qeveri, nuk mund të pritet që për raste të tilla, të këtë dorëheqje – si akt moral, e as shkarkime – si akt i vënies para përgjegjësisë. Sepse, sikurse Rashiç, ka dhjetëra raste të ngjashme kur anëtarët e kësaj qeverie kanë bërë ndërhyrje të tilla në procedura gjyqësore ende pa përfunduar ato”.

Azem Kurtaj

Ndërkaq deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, ka theksuar për AP se ministri Rashiç duhet të shkarkohet, meqë pretendon se “kjo është ndërhyrje direkte në sistemin e drejtësisë”.

“Nuk i takon një ministri të shpallë kriminelë në këtë vend. Kurti do duhej të marrë veprime dhe ta shkarkojë këtë ministër, ashtu siç kanë bërë paraardhësit e tij në situata të njëjta”, potencoi Lekaj.

Për juristin Arbër Jashari, “shpallja fajtor e ushtarit të FSK-së” nga Rashiçi, pa e dhënë veridiktin e saj Gjykata, po cilësohet si një deklaratë e pa matur dhe e papërgjegjshme e një ministri.

“Ai nuk është prokuror as gjykatës dhe jam i bindur as qe i ka pa shkresat e lëndës. Njerëzit qe ushtrojnë funksione shtetërore, duhet te jenë te matur ne deklarimet e tyre, pasi qe ato mund të kenë ndikimin në drejtësi dhe mund t’i kontribuojnë përkeqësimit të situatës në terren”, thotë Jashari për Albanain Post.

Ai shtoi se në drejtësi ekziston parimi i prezumimit të pafajësisë, i cili duhet të respektohet nga të gjithë.

“Komente te tilla, të ministrave nuk janë praktikë e shteteve me demokraci te avancuar dhe ato bartin pasoja për ta”.

Ndryshe, Rashiç, në një intervistë për mediumin serb Nova.rs, theksoi se është i bindur që ishte tentim vrasje.

“Unë udhëhiqem nga ajo që shkruhet në aktakuzë, se është tentativë për vrasje dhe kështu do të mbetet. Ajo që nuk është mjaft e qartë është gjuajtja e tij e dytë. Dhe para kësaj ai qëlloi në ajër. Nuk kam asnjë dyshim se i ka qëlluar fëmijët me dashje dhe ishte tentativë për vrasje”, theksoi Rashiç.

Ministri i Qeverisë së Kosovës: S’kam dyshim, të rinjtë në Shtërpcë u tentua të vriten – ka një histori sulmesh ndëretnike

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore