Lajme

“Akuzohet për tetë viktima, por s’ka prova për asnjë”, nis gjykimi për “Komandant Ujkun” në Speciale


Pjetër Shala

Tetë persona janë pranuar si viktima nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë në rastin e ish-komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Pjetër Shala, ndaj të cilit do nis gjykimi të martën si i akuzuar për krime lufte, ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë e vrasje të paligjshme, të kryera gjatë luftës.

Viktimat pretendojnë se kanë pësuar dëm fizik, mendor ose material nga Shala midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej UÇK-së.

Megjithatë, “Komandant Ujku” ishte shprehur se “e ndien veten plotësisht të pafajshëm” për akuzat që i vihen në barrë.

Në një linjë me Shalën janë edhe avokatët Skender Musa dhe Anton Nrecaj, të cilët thonë se organi i akuzës nuk ka prova për ta dënuar Shalën, derisa procesin e kanë vlerësuar si të padrejtë meqë provat janë marr nga Prokuroria e Serbisë.

“Në bazë të procesit që e kam përcjellë, nuk kam parë ndonjë provë që mund ta vërtetoj fajësinë e Pjetër Shalës, në këtë rast. Mirëpo, mendoj se nuk duhet të paragjykojmë rastin dhe duhet të presim objektivitet prej gjykatës. Natyrisht se duhet të vërtetohet pafajësia e tij, pa marrë parasysh se si e shohim ne që nuk jemi brenda në proces të gjykimit dhe brenda sallave të gjykimit si palë në proces”, tha Musa për Albanian Post.

“Palët që janë në proces duhet të angazhohen maksimalisht që ti paraqesin të gjithë provat, duke marrë parasysh se këto procese penale janë të rënda”, teksa shton se puna e të angazhuarit për mbrojtjen e tij duhet të jetë jashtëzakonisht e madhe, “sepse në gjykata ku vepron shteti juridik duhet të vërtetohet pafajësia”.

“Ndërkaq, në anën tjetër prokurorët special, në këtë rast prokurorët ndërkombëtar përpiqen jashtëzakonisht shumë për ta vërtetuar akuzën e tyre që është detyrë e tyre”.

Por, ai vuri në pah se nëse ndodh që Shala të dënohet, këtë të fundit e pret një dënim i lartë.

“Dënimet për këto vepra penale janë jashtëzakonisht të larta, nga 10 vite e më lartë. Mirëpo nuk besoj që do të ketë mundësi të vërtetohet një akuzë e tillë për krime lufte sa i përket rastit Shala, për shkak se nuk ka pasur asnjë dëshmi serioze që mund të vërtetonte fajësinë e tij”.

Për avokatin tjetër, Anton Nrecajn, të gjitha akuzat që i vihen në barrë Shalës, janë marr nga Prokuroria e Serbisë.

“Provat të cilat i ka ofruar Ministria e Drejtësisë, MUP dhe Prokuroria e Serbisë. E kemi një proces të pabarabartë në mes të palëve”, thotë ai për AP.

Ai thotë se prokurorinë në Hagë deri më tani e kanë karakterizuar shumë skandale dhe rrjedhje të informacionit, e shumë shkelje tjera procedurale.

“Pra, me një fjalë këtu mund të kemi gjithçka përpos proces të drejt gjyqësor, jo vetëm në rastin Shala por për të gjithë të akuzuarit”, shtoi Nrecaj.

Ndryshe, më 1 mars, në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, do të fillojë gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së, të cilët po qëndrojnë në paraburgim prej nëntorit të vitit 2020.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit lidhur me pretendimin për krime lufte është konfirmuar më 26 tetor 2020, ndërsa në paraqitjet e tyre të para në Dhomat e Specializuara në Hagë, ata janë deklaruar të pafajshëm.

Më 29 prill, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendon se të akuzuarit kanë kryer krime lufte në Gjilan, Budakovë e Semetisht.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore