Lajme

Aktivistet sudaneze në krye të rezistencës pas grushtit të shtetit


Para dy vitesh, Alaa Salah u kthye në simbol të rezistencës kur studentja sudaneze u ngjit në një makinë jashtë garnizonit ushtarak të Khartoum për të mbledhur turmën që kërkonte largimin e diktatorit Omar al-Bashir.

E veshur me një mantel të bardhë të mrekullueshëm dhe duke recituar një poezi revolucionare, disa e quanin atë Kandaka, një referencë për mbretëreshat e Sudanit të lashtë, tregon e përditshmja “Financial Times”.

Veprimet e saj ndihmuan të bindin forcat e armatosura të vendit për t’i dhënë fund regjimit islamist tre-dekadash të Bashir, duke sjellë një demokraci të brishtë.

Kjo edhe me ndihmën e grave të tjera, zërat e të cilave u futën papritur në diskursin politik të Sudanit.

Këtë javë, qeveria kalimtare u shpërbë me një grusht shteti ushtarak, duke sjellë trupat dhe protestuesit përsëri në rrugët e Khartoum-it dhe duke e detyruar “gruan në të bardha” të fshihej.

“Është shumë e rrezikshme. Jeta ime nuk është e sigurt dhe shtëpia ime monitorohet gjatë gjithë kohës nga milicët”, ka treguar Salah nga streha e saj në kryeqytetin sudanez.

“Jam shumë e trishtuar, jo vetëm për veten, por për të gjithë njerëzit”, ka shtuar ajo.

Gjatë kësaj jave, ushtria e Sudanit e forcoi kontrollin pavarësisht presionit ndërkombëtar, pezullimit nga Bashkimi Afrikan dhe ngrirjes së ndihmës së Bankës Botërore, pasi forcat e sigurisë arrestuan ministra dhe aktivistë të qeverisë përballë demonstratave masive, grevave dhe një fushate të mosbindjes civile.

Ngjashëm si në vitin 2019, tregon “Financial Times”, aktivistet kanë luajtur një rol të rëndësishëm në protestat e kësaj jave.

“Ky është një grusht shteti i plotë dhe po rezistojmë deri në fund”, ka thënë Mariam al-Mahdi, e cila ishte ministre e jashtme në qeverinë e shpërbërë.

Ajo ka vijuar se “asgjë nuk do t’i pengojë gratë e Sudanit, të cilat po luftojnë për transformimin demokratik”.

Kurse për Muzan Alneel, një inxhiniere rreth të tridhjetave që ishte pjesë e protestave të vitit 2019, beteja nuk u fitua kurrë. Ajo që pasoi Bashir ishte shumë larg nga qëllimet e saj për t’i dhënë fund represionit, korrupsionit dhe shtypjes së grave ose ndalimin e konflikteve të pafundme dhe përmbysjen e dekadave të izolimit ndërkombëtar.

Ajo, njësoj si të tjerët, kundërshtoi që në fillim praninë e burrave me uniformë në qeverinë tranzitore pas rolit të tyre të dyshuar në masakrën e qershorit 2019 të rreth 120 protestuesve, që ndodhi pasi Bashir ishte përmbysur.

“Gratë si unë janë ndjerë të tradhtuara që nga dita kur nënshkruan marrëveshjen me ushtrinë…nuk kishim asnjë shpresë se ushtria mund të ishte në gjendje të punonte brenda një shteti civil. E dinim se kjo po vinte dhe thjesht po e prisnim atë”, ka dalluar Alneel.

Edhe pas formimit të një qeverie tranzitore civilo-ushtarake nën kryeministrin Abdalla Hamdok, shkruan “Financial Times”, tensionet e përkeqësuara nga gjendja e paqëndrueshme e ekonomisë nuk ishin asnjëherë larg.

Madje, situata hodhi themelet për ngjarjet që ndodhën në orët e para të së hënës, pasi Hamdok dhe udhëheqës të tjerë civilë u arrestuan dhe transmetuesi shtetëror u kap.

Sipas analistëve, arsyeja për grushtin e shtetit është se udhëheqësit ushtarakë të Sudanit kishin frikë jo vetëm nga humbja e fuqisë ekonomike dhe politike, por edhe nga mundësia e ndjekjeve penale.

Megjithatë, al-Mahdi ka shtuar se ishte “një grusht shteti serioz kundër pranisë së grave në shoqërinë sudaneze”.

Pas largimit të Bashirit, paçka se shumë aspekte të ligjit islamik u përmbysën, gratë aktiviste kanë treguar se ishin lënë jashtë negociatave dhe ishin të përfaqësuara dobët në politikëbërje.

Al-Mahdi ishte një nga katër gratë e vetme në kabinetin 25-anëtarësh sudanez, për të cilin ajo ka fajësuar pjesërisht ushtrinë dhe pjesërisht kulturën politike që historikisht ka qenë e dominuar nga burrat.

“Patjetër që gratë u ndjenë të tradhtuara pas revolucionit. U ndjemë plotësisht të përjashtuara nga nivelet e ndryshme të vendimmarrjes”, ka rrëfyer një tjetër aktiviste që kërkoi anonimitetin nga frika për sigurinë e saj.

Ajo ka shtuar se “edhe kur përfshihen gratë, ato diskriminohen brenda institucioneve dhe punët e tyre vështirësohen shumë”.

Ndërkaq, një ish-këshilltare e ministrit të financave të Sudanit në qeverinë tranzitore, Nadia Nur, i frikësohet një “kthimi të madh” të disa rregullave kufizuese islame për gratë, të cilat janë zbutur që nga rënia e Bashir.

Kjo nëse ushtria ruan pushtetin dhe mund të përfshijë moslejimin e veshjes së pantallonave ose flokëve të pambuluar.

“Do t’i shtypin gratë dhe do t’u japin më pak mundësi dhe më pak të drejta për të marrë pjesë në zhvillimin e Sudanit. Nuk duket mirë për të gjithë popullsinë, por mendoj se gratë do të vuajnë më shumë”, ka theksuar Nur.

Abdel Fattah Burhan, gjenerali që ka qenë fytyra e grushtit të shtetit, ka pohuar se do t’i përmbahet tranzicionit drejt demokracisë, duke premtuar se do të punojë me një qeveri civile teknokrate dhe do të mbajë zgjedhje brenda dy vjetësh.

Megjithatë, shumë sudanezë nuk u besojnë premtimeve të tilla, tregon “Financial Times”, përfshirë dhjetëra mijëra që protestuan në qytete anembanë vendit gjatë kësaj jave.

Gjithashtu pritet një demonstratë e madhe në Khartoum të shtunën.

“Kjo na tregon një gjë: civilët janë ende atje, gratë janë ende atje, përkushtimi është ende atje dhe njerëzit nuk po pengohen nga dhuna. Padyshim që ndihem sikur fryma e revolucionit të 2019-s është rikthyer”, ka thënë Asmaa Ismail, një aktiviste 35-vjeçare.

Salah, e cila dëshiron t’i bashkohet sërish lëvizjes së protestës që frymëzoi, është duke u mbajtur pas shpresave se rezistenca popullore mund të bëjë presion mbi udhëheqjen e ushtrisë, për të ndryshuar grushtin e shtetit dhe për të rivendosur demokracinë e sapolindur të Sudanit.

“Nuk duam një qeveri tjetër ushtarake, kurrë, kurrë, kurrë. Duam një qeveri civile, jo ushtarake. Mjaft, mjaft, mjaft”, ka thënë ajo.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore