Lajme

“Aktet e frikësimit, shqetësuese”, thotë ambasadori francez për sulmet në Veri


Ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guerot

Ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guerot, është shprehur i shqetësuar lidhur me ngjarjet që janë duke ndodhur në Veri.

Guerot, përmes një cicërime në rrjetin social ‘Twitter’ e ka quajtur këtë veprim “frikësues”.

“Aktet e frikësimit janë shumë shqetësuese. Dialogu është rruga përpara”, ka shkruar ai.

Lidhur me sulmet në Veri ka reaguar edhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë Jeff Hovenier dhe ambasadori i Gjermanisë, Jorn Rhode.

Të martën një pjesë e qytetarëve në Veri të Kosovës dhe sipas ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla, edhe banda kriminale e persona të maskuar, kanë penguar zyrtarët komunal të zgjedhjeve të ushtrojnë detyrat e tyre.

Madje ata janë penguar edhe të kenë qasje në zyra, të cilat u demoluan dhe në të cilat ishte vendosur edhe një bombë, e cila më pas u largua në mënyrë të kontrolluar nga njësitet e KFOR-it.

Por, që nga dita kur Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, shpalli zgjedhjet në katër komunat veriore për 18 dhjetor, si rrjedhojë e dorëheqjeve nga Lista Serbe për shkak të pakënaqësive të tyre, u bë e qartë se situata mund të ndërlikohej, siç pati ndodhur edhe me çështjen e targave.

Shqetësime për sigurinë e punonjësve zgjedhorë ka pasur edhe Kreshnik Radoniqi, kryetar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Ai ka deklaruar se “qasja në këto vende është shumë e vështirësuar”.

“Po të vije puna që të shkojmë atje me tërë aparatin policor të armatosur deri në dhëmbë, atëherë çfarë zgjedhje jemi duke dashur të organizojmë?”, potencoi Radoniqi.

Në anën tjetër, paralelisht, është tërhequr shorti i numrave për partitë pjesëmarrëse në zgjedhjet që pritet të mbahen për kryetar dhe asamble të katër komunave në Veri të Kosovës.

Iniciativa Qytetare-Mitrovica do të garojë me Betim Osmanin në Komunën e Mitrovicës së Veriut me numrin 111.

Partia Demokratike e Kosovës do të ketë numrin 112 në garën për kryetar në Leposaviq, Zubin-Potok, Zveçan e Mitrovicë të Veriut.

Partia e “Serbëve të Kosovës” me Aleksandar Jablanoviçin, i cili është kandidat për kryetar të Leposaviqit do të garojë me numrin 113.

Slagjana Pantoviç si kandidate e pavarur do të garojë në Zveçan me numrin 114.

Ndërsa, Lëvizja Vetëvendosje me kandidatë për kryetarë të katër komunave do të garojë me numrin 115.

Zgjedhjet për kryetarë të katër komunave në Veri pritet të mbahen me 18 dhjetor, ndërsa zgjedhjet për kuvendet komunale me 25 dhjetor.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore