Lajme

“Aktakuzë në mungesë” ndaj një pjesëtar rezervë të policisë serbe, që dhunoi një mashkull në Kosovë gjatë luftës


Ilustrim

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë në mungesë ndaj G.P., për veprën penale të dhunimit gjatë luftës në Kosovë.

Aktakuza është ngritur n Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamenti Special këtë të premte.

Prokuroria Speciale përmes një komunikate për medie, ka njoftuar se “i pandehuri si pjesëtar i forcave rezervë policore të Serbisë, në bashkëkryerje me persona të tjerë, në kundërshtim me rregullat e të drejtës ndërkombëtare humanitare, me përdorimin e dhunës fizike dhe veprimeve të tjera çnjerëzore, ka kryer dhunim seksual ndaj mashkullit të nacionalitetit shqiptar”.

Me këtë veprim i akuzuari ka kryer veprën penale ‘’Krimet e luftës kundër popullsisë civile’’ nga neni 142 i Kodit penal të Jugosllavisë, aktualisht e inkriminuar si Krimet kundër njerëzimit nga neni 143 paragrafi 1 nën paragrafi 1.7 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Kjo, është aktakuza e dytë në mungesë e ngritur, që ka të bëjë me dhunim gjatë luftës në Kosovë, “pasi që janë shterur të gjitha përpjekjet e prokurorisë për të siguruar pranin fizike të pandehurit në procedurë”.

Kështu që, Prokuroria Speciale ka propozuar që ndaj të njëjtit të mbahet gjykimi në mungesë.

Deri tani, Komisioni Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Viktimave të Dhunës Seksuale gjatë luftës në Kosovë, ka verifikuar dhe njohur statusin e “viktimës së dhunës seksuale gjatë luftës” 57 burrave.

Procesi i aplikimit për njohjen dhe verifikimin e statusit të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës është duke vazhduar akoma.

Deri tani ky status u është njohur një mijë e 217 grave.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore