Shqipëria

Aksioni i PD-së – përtej Kuvendit


Partia Demokratike ka ndërmarrë një nismë, në thelb të së cilës janë problematikat e qytetarëve.

Në mënyrë të koordinuar, PD do të denoncojë çdo shqetësim të qytetarëve, ndërsa do të grumbullojë propozimet konkrete që do të vijnë nga degë e deputetë demokratë.

Kryedemokrati Lulzim Basha ua ka besuar detyrën e koordinimit dy deputetëve Ervin Salianji dhe Arbi Agalliut.

Këta dy të fundit, në një prononcim për Albanian Post, sqarojnë “aksionin” që do të kryhet nga ana e opozitës.

Agalliu bën me dije se deputetët do të lëvizin në çdo zonë elektorale, do të grumbullojnë informacion, të cilin do ta postojnë në mediat e tyre sociale, si dhe në zyrën qendrore.

“Për të qenë më efikas dhe eficient në përcjelljen e çdo lajmi, si dhe denoncimin e çdo ngjarjeje që rëndon mbi shqiptarët ngrihet kjo strukturë, e cila është koordinuese”, thotë deputeti Agalliu.

Më tej, ai shpjegon se kjo bëhet për deputetët e selisë blu, “në mënyrë që t’u jepet pavarësi totale dhe inkurajim, për të vijuar misionin e tyre të evidentimit dhe denoncimit të çdo padrejtësie, vjedhjeje, abuzimi apo çdo akti tjetër në kundërshti me ligjin”.

Njëjtë si Agalliu, edhe deputeti Ervin Salianji, njëkohësisht nënkryetar i Grupit Parlamentar, thotë se “kjo nuk është detyrë e re”.

“Është thjesht ndarje rolesh brenda Grupit Parlamentar në funksion të rritjes së performancës”, shprehet ai.

Në vijim, ai jep detaje se gjithçka do të bëhet në raport me “kujdesin ndaj çdo shqetësimi qytetar, në çdo cep të territorit, dhe me përfshirjen e strukturave të Partisë Demokratike në terren dhe në qasjen shërbyese ndaj qytetarëve”.

Salianji ravijëzoi se do të ketë zbritje në terren dhe takime të përditshme të deputetëve, strukturave të PD-së me qytetarët, ashtu siç do të ketë ndërveprim për të arritur qëllimin.

Deputet i Partisë Demokratike, Ervin Salianji

Nga ana tjetër, sekretari i Grupit Parlamentar, Agalliu, theksoi se kjo do të realizohet në funksion të tematikave që janë.

“Për të pasur një mbulim territorial më të mirë dhe një shpërndarje me korrekte mbi raportimet, kjo njësi do të bëjë thjesht koordinimin e brendshëm, në mënyrë që asnjë denoncim të mos humbasë dhe të mos ngelet pa u përcjellë te publiku”.

Ndër të tjera, deputeti tha se do të vijojnë me denoncimet në të gjitha instancat shtetërore.

“Ky është misioni ynë nga dita që kemi marrë mandatin dhe deri në dorëzim të tij në zgjedhjet e ardhshme. Nuk është mision i momentit. Duhet të futemi në një rutinë denoncuese që të gjithë strukturat e qeverisë të kenë presion për të punuar siç duhet”, mbyll fjalën Agalliu.

Salianji e konsideron si punë të përditshme.

“Nëse do quhej aksion, do të përfundojë kur të largohet qeveria Rama!”.

Më 25 shtator, kryedemokrati Lulzim Basha u ka bërë thirrje gjithë deputetëve të bëhen “zëri i problemeve të popullit”.

Lulzim Basha, gjatë fjalës në seancën e 16 shtatorit

“Zbrisni në zonat tuaja dhe bëni publike shqetësimet e tyre”.

Ai gjithashtu ka kërkuar nga ata që të marrin informacion pranë Prokurorive për ecurinë e hetimeve për masakrën zgjedhore të 25 prillit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore