Shqipëria

AKSHI: Nuk do të ketë asnjë delegim te privati për platformën e-Albania


Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) ka reaguar pas qarkullimit të lajmeve se platforma e shërbimeve e-Albania do të privatizohet.

Përmes një reagimi zyrtar, AKSHI, theksoi se “në asnjë rrethanë institucioni nuk do të delegohet te privati”.

“Nisur nga disa raportime aspak profesionale në mediat online, sqarojmë opinionin publik se nuk do të ketë asnjë delegim tek privati të platformës e-Albania”, shkruhet në njoftimin zyrtar të agjencisë.

Sipas AKSHI-t, më 22 tetor ka nisur konsultimi publik për një projektligj mbi qeverisjen digjitale.

Platforma e shërbimeve e-Albania

Kjo, nisur nga nevojat e vendit për shkak të rritjes së konsiderueshme të hapësirës digjitale, shtoi agjencia në reagimin e saj.

“Çdo punë e realizuar nga AKSHI, në veçanti e-Albania që është një pasuri kombëtare që ofron mbi 1,200 shërbime publike për qytetetarët, nuk do t’i jepet asnjëherë privatit për administrim”, përmbyllet reagimi i agjencisë.

Privatizim i e-Albania, pas rrjedhjes së të dhënave personale të shtetasve?

E pyetur nga gazetarët nëse portali e-Albania do të privatizohet, pas rrjedhjes së të dhënave personale të shtetasve shqiptarë edhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku e mohoi një gjë të tillë.

Ishte data 22 dhjetor 2021, kur fillimisht pati një publikim të jashtëligjshëm të një databaze me të dhënat e 637 mijë e 138 tatimpaguesish, duke qarkulluar me shpejtësi në rrjetin social “Whatsapp” dhe alarmuar publikun.

Pavarësisht se Prokuroria e Tiranës hapi një hetim, më pas do të bëheshin publike edhe dy rrjedhje të tjera të të dhënave personale, dy databaze, ku pasqyroheshin pagat e muajt prill 2021 dhe targat e makinës së shtetasve shqiptarë. 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore