Lajme

AKR kërkon rinumërim të plotë të votave në komunën e Prishtinës


Ilustrim

Ish-kandidati për kryetar të komunës së Prishtinës nga radhët e Aleancës Kosova e Re, Gëzim Mehmeti, ka kërkuar rinumërim të plotë të votave në këtë komunë.

Kjo pasi që, sipas tij, këto zgjedhje janë manipuluar nga individë dhe subjekte të tjera politike.

“AKR kërkon rinumërim të plotë të 238 vendvotimeve në komunën e Prishtinës. Organizimi i KQZ ka qenë në nivel por individë të caktuara për përfitime të tyre që ta ulin përqindjen e AKR dhe ta ngrisin përqindjen e tyre na kanë dëmtuar”.

“KQZ i ka organizuar mirë zgjedhjet lokale por disa individë të caktuar, grupacione dhe subjekte kanë abuzuar me votën e qytetarëve. Këtë rast AKR sipas provave është dëmtuar një deri në dy për qind, duke i shpallur të pavlefshme fletëvotimet dhe duke manipuluar dhe regjistruar të dhëna jo të vërteta”, është shprehur Mehmeti në një konferencë për media.

Ai ka marrë shembull vendvotimin 1926/E01R, ku sipas tij, “AKR i ka vetëm pesë vota të publikuara nga KQZ-ja, tash do ta dëshmoj me FRP se AKR i ka 28 vota”.

Ish-kandidati për kryetar të komunës së Prishtinës nga radhët e Aleancës Kosova e Re, Gëzim Mehmeti

Ai ka thënë se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve duhet ta kthejë besimin.

“Jam shumë i bindur që KQZ do të reagojë dhe këtë vendvotim do ta hap për arsye se kemi parregullsi. Pastaj kemi mospërputhje në atë që janë të deklaruara dhe ka ndërhyrje sa i përket votave të kandidatëve, në këtë rast ne duhet ta mbrojmë demokracinë e brendshme të partisë që të gjithë ata të rinj të mos demoralizohen në këtë sistem”, shtoi ai.

“Në këtë rast zgjidhja më e mirë dhe kërkesa jonë decidive është që Prishtina në të gjithë vendvotimet të rinumërohen, këtë e themi nga faktet dhe parregullsitë e shumta që i kemi”, ka thënë Mehmeti.

Madje, ai ka paralajmëruar se ky subjekt politik do të parashtrojë ankesa në afatet ligjore në PAZAP.

“Edhe si subjekt politik por edhe kandidatët kanë mbledhur dëshmi nga vëzhguesit që nuk korrespondojnë në ato të dhëna që janë publikuara dhe të paraqitura në FRP dhe do të parashtrojmë ankesa individuale”.

Kur pyetet nga gazetarët në rast se AKR-së si subjekt politik i ka ardhur ndonjë kërkesë për koalicion nga ndonjë parti tjetër, Mehmeti është përgjigjur duke thënë “nuk kemi pasur oferta dhe asnjë kontakt për koalicion”.

Sipas të dhënave paraprake nga KQZ-ja, në 205 vendvotime të numëruara nga 238 sa janë gjithsej në kryeqytet, AKR-ja ka marrë 3.714 vota për Kuvend Komunal. Ndërsa me numërimin e 100 për qind të votave për kryetar, Mehmeti ka marrë një mijë e 582 vota.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore