Lajme

AKP njofton për privatizimin e 55 aseteve, Hoti: A u anulua vendimi i Qeverisë që ndalonte privatizimin?


Avdullah Hoti

Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP), këtë të mërkurë ka shpallur shitjen e 55 aseteve të ndërmarrjeve përmes likuidimit, që janë në menaxhimin e AKP-së.

Kjo valë e shitjeve me të gjitha asetet e tenderuara është aprovuar në Bordin e Drejtorëve, kurse AKP i ka njoftuar paraprakisht të gjitha Komunat përkatëse se këto asete të ndërmarrjeve shoqërore do të privatizohen.

Ofertat e mbyllura për asetet, sipas një njoftimi të AKP-së duhet të dorëzohen në “Sallën e konferencave-Hotel Grand” në Prishtinë me datën 15 qershor 2022.

Pas shpalljes në fjalë, i menjëhershëm ka qenë reagimi i ish-kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti, i cili natyrisht i befasuar me këtë vendim ka pyetur se me shpalljen në fjalë, a është anuluar vendimi i Qeverisë paraprake – e konfirmuar edhe nga Qeveria Kurti – që ndalonte privatizimin e aseteve që janë në menaxhim të AKP-së?.

“Çfarë po ndodh me Agjencinë Kosovare të Privatizimit, paska hapur valë të re të privatizimit të 55 aseteve, ku përfshihen toka dhe lokale afariste e asete të tjera” , ka pyetur Hoti.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka qenë shumë i zëshëm për sa i përket çështjes që kishte të bënte me privatizimin dhe tjetërsimin e ndërmarrjeve shoqërore nga AKP.

Ai madje, gjatë fushatë zgjedhore, kishte thënë se synon të shuajë aktivitetin e AKP-së duke shpalosur kështu planin e tij për krijimin e Fondit Sovran, i cili do të menaxhonte këto asete.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore