Sport

Ajeti dhe Cikalleshi: Nuk duhet të nënvlerësojmë asnjë kundërshtar


Kombëtarja shqiptare e futbollit është grumbulluar sot në Barcelonë, për ndeshjen e parë eliminatore në kuadër të botërorit “Katar 2022”, ndaj Andorrës në transfertë.

Para mediave kanë folur mbrojtësi Arlind Ajeti dhe sulmuesi Sokol Cikalleshi.

Ajeti është rikthyer në grumbullimin me Kombëtaren pas një kohe të gjatë. Ai e shpreh qartë kënaqësinë për këtë.

“Jam shumë i lumtur që u riktheva. Nuk mund ta fsheh kënaqësinë time kur shikoj gjithë stafin dhe të gjithë grupin. Më kanë munguar shumë”, u shpreh Ajeti.

“Vij në një grup që ka shumë lojtarë, që luajnë dhe janë aktivizuar me klubet e tyre. Kjo do të na japë një besim të madh për ndeshjen e ardhshme”.

“Rikthimi juaj? Më duket që ka kaluar një kohë shumë e gjatë. Jam shumë i lumtur që u riktheva”, tha Ajeti.

“Kombëtarja jonë ka pasur gjithmonë një grup të mirë, siç është edhe tani”.

“Të gjithë më kanë pritur mirë dhe kjo më bën të ndihem akoma më mirë. Kur jemi në Kombëtare, të gjithë luajmë me zemër dhe japim shpirtin. Ndeshjet që vijnë, janë të vështira dhe ne nuk nënvlerësojmë asnjë kundërshtar”.

“Do të zbresim në fushë për të dhënë maksimumin dhe, siç e thashë, këto ndeshje, sidomos me Andorrën, nuk duhet ta nënvlerësojmë, sepse kemi luajtur këtu dhe e dimë çfarë fushe e vështirë është kjo. Ne duhet të japim 100%”.

“Pavarësisht kohës së pakët në dispozicion për t’i përgatitur ndeshjet, jam optimist se do t’ia dalim”.

“Në Andorra dhe Franca me një emër të madh ka pasur vështirësi, e dimë se çfarë na pret dhe duhet të fokusohemi te gjërat që na jep trajneri”, përfundoi Ajeti.

Edhe Cikalleshi, sikurse Ajeti, theksoi që objektivi kryesor është rezultati pozitiv përballë Andorrës.

“Si nga ana individuale, ashtu edhe nga ana e ekipit, është që ta nisim me këmbën e mbarë. Pa  dyshim është gjëja kryesore që të kemi një rezultat të mirë në ndeshjen e parë”.

Cikalleshi thotë që, po të arrijë të shënojë, dhe t’i sjellë ekipit fitore, është kënaqësi e dyfishtë”.

Sulmuesi foli edhe rreth ndeshjes përballë Anglisë, të cilën Kombëtarja jonë do ta zhvillojë në “Air Albania”.

“Duke parë që përballë kemi edhe një skuadër të nivelit botëror si Anglia, e gjitha çfarë na mbetet, është që t’i shpalosim mundësitë tona në fushë, si nga ana fizike, po ashtu edhe nga shpirti i garës dhe disiplina taktike”.

Nëse Anglia fiton edhe përkundër gjithë këtyre gjërave, Cikalleshi thotë se e gjitha që mbetet është t’i duartrokasim.

“Gjithë ekipi ndihet shumë mirë, jo vetëm sulmi”, thotë Cikalleshi.

“E rëndësishme është të fitojmë. Kjo është kryesorja. Pastaj kush shënon, është diçka që, le të ngelet, ta shikojmë në fushë”.

Cikalleshi foli edhe rreth të ardhmes së tij.

“Unë ndihem shumë mirë në Turqi, u bënë 6-7 vite që jam atje. Patëm një rënie dy vitet e fundit, por tashmë u riktheva në Superligë. Kam edhe një vit tjetër me Koniasporin”.

“Patjetër që synimet e mia janë gjithmonë më lart, por unë jam realist dhe objektiv. Nëse do më vinte një ofertë nga Ligat më të forta, do ta shqyrtoja në detaje, por për momentin nuk ka asgjë.”

“Jam shumë i lumtur me atë që më ka ofruar Zoti dhe karriera ime, kështu që ndihem shumë komod. Janë disa gjëra që vijnë edhe me moshë, unë tashmë jam 30 vjeç, por do vazhdoj të jap më të mirën si aty edhe në Kombëtare. Të ardhmes nuk i dihet, ta shikojmë”, përfundoi Cikalleshi.

Shqipëria zhvillon ndeshjen si mysafire e Andorrës më 25 mars, në orën 20:45.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore