Shqipëria

Ahmetaj nuk do të paraqitet në mbledhjen e Këshillit të Mandateve


Ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj nuk do të paraqitet personalisht në mbledhjen e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, por do të përfaqësohet nga avokatët e tij.

Kujtojmë që mbledhja do të mbahet të martën e 11 korrikut në orën 16:00 dhe do të vendosë edhe fatin e ish-zyrtarit të lartë, pas kërkesës së Prokurorisë së Posaçme SPAK, lidhur me arrestimin e tij në bazë të tre akuzave, e cila mbërriti mëngjesin e 10 korrikut.

Sipas një njoftimi zyrtar nga Kuvendi i Shqipërisë, ashtu si ka kërkuar SPAK, mbledhja do të zhvillohet me dyer të mbyllura.

SPAK-u ka ngritur tre akuza kundrejt Ahmetajt: refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim – korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë – pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale.

Po ashtu, Prokuroria e Posaçme kërkon lejen për ushtrimin e kontrollit personal dhe të banesës së deputetit.

Kuvendi ka tanimë të drejtën të mbledhë Këshillin Parlamentar për Mandatet, që të shqyrtohet kërkesa për heqjen e mandatit të deputetit dhe më pas të kalohet në seancë plenare.

Ndërkaq procedura mund të shmanget nëse vetë deputeti e dorëzon mandatin e tij, duke hequr dorë nga imuniteti, pasi ligjvënësit janë imunë dhe nuk mund të arrestohen pa lejen e Kuvendit.

Ahmetaj ka të drejtë të paraqesë në Këshill, me shkrim ose me gojë, shpjegimet dhe vërejtjet e tij rreth çështjes, të përfaqësohet me mbrojtës ligjor, të drejtojë pyetje dhe të kërkojë sqarime në lidhje me kërkesën me qëllim të ushtrimit të së drejtës së mbrojtjes.

Në përfundim të shqyrtimit, Këshilli, brenda dy javësh harton një raport për në seancë plenare, në të cilin rekomandon rrëzimin ose miratimin e dhënies së autorizimit për caktimin e masës së sigurimit të arrestit në burg ose në shtëpi, ose heqjes së lirisë në çfarëdo lloj forme, apo kontrollit personal ose të banesës.

Hetimet ndaj Ahmetajt

Hetimi ndaj ish-zëvendëskryeministrit për çështjen e inceneratorëve fillimisht tashmë është bashkuar me denoncimin e bërë ndaj tij për fshehje të ardhurash, pas kontrolleve që SPAK-u zhvilloi në vilën e bashkëjetueses së tij.

Ndërkaq, Ahmetaj ishte i thirrur nga Prokuroria e Posaçme më 22 qershor, kur ai theksoi se “sqaroi pozicionin”.

Përballë prokurorëve, ai qëndroi plot gjashtë orë.

Duhet theksuar se ishte vetë SPAK, që bëri me dije se Ahmetaj po hetohet më vete në rastin e njohur si çështja e inceneratorëve.

Përtej hetimeve të përgjithshme lidhur me inceneratorët, ku disa ish-zyrtarë të lartë, ku përfshihen ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka, ish-deputeti Alqi Bllako, por edhe shtetasit Mirel Mërtiri, Klodian Zoto dhe Stela Gugallja, procedimi penal mbi Ahmetajn, po trajtohet më vete.

Ahmetaj ka deklaruar se si ish-ministër i Ekonomisë dhe si ish-ministër i Financave nuk ka pasur asnjë rol vendimmarrës për inceneratorët.

Ai ka mohuar lidhjen me Zoton, për të cilin është shprehur se e njeh vetëm si biznesmen, ndërsa sa i takon vilës në Hamallaj ai ka deklaruar se ajo është pronë e familjes së bashkëjetueses.

Në vitin 2020, Zoto biznesmeni i shpallur në kërkim për akuzat e korrupsionit aktiv dhe pastrimit të parave, i shkroi një hoteli ku kishte bërë pagesë me kartën e tij të kreditit vite më parë dhe kërkoi që t’i konfirmonin pagesën e bërë në favor të ish-zëvendës kryeministrit.

Në email-e zbulohet se Zoto ka prenotuar ose paguar me kartën e tij të kreditit qëndrimet e Ahmetajt.

Nëse vërtetohen akuzat, sa vite rrezikon Ahmetaj?

Ish-ministri i Shqipërisë, siç u tha më lart akuzohet për disa vepra penale.

E para, lidhet me korrupsionin dhe në bazë të ligjit, është e dënueshme nga 4 deri në 12 vjet.

E dyta, lidhet me pastrimin e parave dhe kjo është një vepër me pasoja më të rënda penale, e cila është e ndëshkueshme ligjërisht nga 7 deri në 15 vjet burg. Kjo e fundit më së shumti në raste kur ka sjellë pasoja të rënda.

Akuza e tretë lidhet me deklarimin e rremë dhe fshehjen e pasurisë, e cila është një akuzë më e lehtë dhe mund të dënohet qoftë me burgim deri në 3 vjet, por edhe thjesht me gjobë.

Në rastin e Ahmetajt, ajo çfarë pritur paraprakisht është drita jeshile e Kuvendit, sa i takon heqjes së imunitetit që ai gëzon si deputet.

Më pas, të shihet çështja në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ku Ahmetaj do të kthehet edhe në ish-zyrtarin më të lartë shqiptar, i cili ka një çështje të hapur me drejtësinë (si zëvendëskryeministër).

Arben Ahmetaj ministër i krizave, por dhe Komisioneve

Cilat janë 3 akuzat që rëndojnë mbi Arben Ahmetajn dhe sa vjet burg rrezikon

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore