Lajme

Acidifikimi i Oqeanit Arktik 4 herë më i shpejtë se oqeanet e tjera


Acidifikimi i Oqeanit Arktik perëndimor po ndodh tre deri në katër herë më shpejt se në oqeanet e tjera, sipas një studimi të ri.

Oqeani, i cili thith një të tretën e të gjithë dioksidit të karbonit në atmosferë, është bërë më me përmbajtje acidi për shkak të përdorimit të lëndëve djegëse fosile.

Në rajonin e Arktikut, humbja e shpejtë e akullit të detit gjatë tre dekadave të fundit ka përshpejtuar shkallën e acidifikimit afatgjatë.

Referuar studimit, humbja e shpejtë e akullit të detit ekspozon ujin e detit në atmosferë, duke nxitur marrjen e dioksidit të karbonit në normë më të shpejtë se sa në pellgjet e Atlantikut, Paqësorit, Indianit, Antarktikut dhe nën-Antarktikut.

“Në sistemet e tjera oqeanike, acidifikimi po nxitet nga një rritje e dioksidit të karbonit atmosferik”, ka treguar Wei-Jun Cai, një ekspert i kimisë detare.

Dhe se tendencat e acidifikimit priren të ndjekin ato të parashikuara nga rritja e dioksidit të karbonit me kalimin e kohës.

Por kur shkencëtarët krahasuan të dhënat e mbledhura nga Arktiku midis viteve 1994 dhe 2020 me pellgjet e oqeanit diku tjetër, ata zbuluan se acidifikimi po ndodhte shumë më shpejt në Arktik.

“Ne u tronditëm kur pamë që acidifikimi po ndodh tre deri në katër herë më shpejt”, ka thënë Cai.

Në Arktikun perëndimor, nëse akulli i detit vazhdon të zhduket, procesi mund të vazhdojë dhe intensifikohet gjatë disa dekadave të ardhshme.

Hulumtimi pason një studim të veçantë në gusht, i cili zbuloi se Arktiku është ngrohur me rreth katër herë më shumë se norma mesatare globale gjatë 43 viteve të fundit.

Studiuesit kanë dalluar se ngrohja më e shpejtë është një proces reagimi i nxitur nga shkrirja e akullit të detit, i cili gjithashtu nxit acidifikimin më të shpejtë.

Cai parashikon që efekti i kimisë së ndryshuar të ujit të detit do të ketë “ndikime të mëdha” për jetën në det.

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore