Shqipëria

Abuzoi me fondet publike, GJKKO merr në shqyrtim kërkesën për gjykim të shkurtuar ndaj ish-drejtorit të RTSH-së


Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka marrë në shqyrtim kërkesën për gjykim të shkurtuar për ish-drejtorin e Përgjithshëm të Radio Televizionit Publik Shqiptar, Thoma Gëllçi, dhe të tre anëtarëve të tjerë të komisionit të vlerësimit të ofertave.

Ishte Prokuroria e Posaçme (SPAK), ajo që i dorëzoi kërkesën GJKKO-së së bashku me dosjen në ngarkim të të pandehurve.

Ish-drejtori i RTSH-së u arrestua më 8 tetor të vitit të kaluar.

Më 11 tetor, GJKKO-ja vendosi ta linte në qeli, së bashku me të akuzuarit e tjerë.

Sipas SPAK-ut, ai ka shpallur procedurën e tenderit përpara se të merrte miratimin nga Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA) dhe Bordi për hapjen e kanalit TVSH Agro.

Në tenderin për blerjen e pajisjeve kanë qenë dy kompani.

Tenderi është zhvilluar në vitin 2018 dhe procedura është shpallur tri vite përpara se TVSH Agro të fillonte transmetimin.

Në vitin 2021, TVSH Agro ka dalë në prova teknike. Përmes tenderit janë blerë pajisjet dhe janë përdorur ndërkohë.

Në tenderin për blerjen e pajisjeve kanë qenë dy kompani: “EURO contact” dhe “TBS 96”.

Anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave (KVO) kanë shpallur fituese kompaninë, e cila kishte ofertë 20 milionë lekë më të lartë.

Të dyja kompanitë kanë pasur parregullsi në dokumentacion dhe duheshin skualifikuar.

Kush është Thoma Gëllçi?

Thoma Gëllçi ka punuar si gazetar dhe redaktor i kulturës në gazetën “Zëri i Popullit” gjatë viteve 1985- 1992, organ zyrtar i Partisë së Punës së Shqipërisë dhe pas vitit 1991, i Partisë Socialiste.

Në periudhën 1992-1996, ai shërbeu si kryeredaktori i gazetës Zëri i Popullit, gjatë kohës kur PS-ja ishte në opozitë.

Gëllçi shërbeu si zëdhënës i Qeverisë së Pajtimit Kombëtar, me kryeministër Bashkim Finon, gjatë periudhës mars-qershor 1997.

Me ardhjen në pushtet të socialistëve, ai shërbeu si zëdhënës dhe drejtues i zyrës së informacionit të kryeministrave socialistë: i kryeministrit Fatos Nano më 1997-1998, i kryeministrit Meta më 1999-2002 dhe sërish i kryeministrit Nano më 2002 deri më 2005.

Në vitin 2005, Gëllçi emigroi në SHBA, nga ku u kthye për të marrë drejtimin e RTSH-së në maj të 2016-s.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore