Lajme

Abott falënderon Kosovën për pranimin e refugjatëve afganë


Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Nicholas Abbott

Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Nicholas Abbott, ka falënderuar qeverinë dhe popullin e Kosovës për mikpritjen e treguar ndaj refugjatëve afganë.

“Do të doja që edhe një herë të falënderoj qeverinë dhe popullin e Kosovës për mbështetjen, duke u bërë atyre një mikpritje të ngrohtë”, ka shkruar Abott në llogarinë e tij në Facebook.

Ai ka bërë të ditur se ka vizituar afganët të cilët janë nën përkujdesje të përkohshme në Kosovë nga trupat britanike nën komandën e NATO-s.

“Dje vizitova të evakuuarit afganë, të cilët janë nën përkujdesje të përkohshme në Kosovë nga trupat britanike nën komandën e NATO-s, ndërkohë që janë bërë aranzhimet për udhëtimin e tyre të mëtejshëm”, ka thënë Abott duke shtuar “ata kanë kaluar një gjendje traumatike, dhe vazhdojnë të tregojnë durim dhe këmbëngulje”.

Në anën tjetër, Abott, ka theksuar edhe përvjetorin e kanunizimit të Nënë Terezës, duke cituar fjalët e saj, “nëse nuk mund të ushqeni njëqind njerëz, ushqeni vetëm një”.

Ndërkaq, “deri të premten më tre shtator në Kosovë kanë arritur afërsisht 467 refugjatë afganë, të cilët do të qëndrojnë përkohësisht”, këtë e bëri të ditur Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, në një takim koordinues me organizatat ndërkombëtarë të Kosovës.

Në këtë takim është diskutuar rreth gjendjes dhe nevojave aktuale lidhur me strehimin e përkohshëm të qytetarëve afgan në Kosovë.

Sveçla, tha se Kosova ka nevojë për mbështetje të organizatave ndërkombëtare në këtë periudhë.

“Qeveria e Kosovës i është përgjigjur pozitivisht kërkesës së Qeverisë së SHBA-së dhe NATO-s, për të strehuar përkohësisht qytetarët afgan. Ne jemi zotuar për të ofruar kushte dinjitoze të akomodimit, për të ju bërë sa më të lehtë qëndrimin e tyre në Kosovë. Megjithatë, nevoja për mbështetje të organizatave tuaja është po ashtu shumë e rëndësishme për ne”.

Më 29 gusht, në Kosovë ka arritur grupi i parë i afganëve të cilët kanë qenë 111 persona, kryesisht gra, pleq dhe fëmijë, ata janë strehuar në ish kampin e Bechtel Enka-s në Ferizaj.

Shtetet e Bashkuara më 30 gusht e kanë përfunduar tërheqjen e plotë nga Afganistani pas 20 vjetësh të prezencës ushtarake atje.

Vendi tashmë është nën kontrollin e talibanëve dhe shumë afganë e kanë të paqartë të ardhmen e tyre nën sundimin taliban.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore