Lajme

Abdixhiku, VV-së: S’shkoni në burg të gjithë, vetëm ata që kanë dhënë tender te shokët e vet, mos i mbroni


Lumir Abdixhiku

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka thënë se pushteti aktual i ka dhënë 781 tenderë njëburimore, derisa i ka bërë thirrje Lëvizjes Vetëvendosje që të mos i mbrojë ata që i ka dhënë këto kontrata të dyshimta njëburimore.

Këto komente, Abdixhiku i ka bërë në seancën e jashtëzakonshme të kuvendit, ku opozita është duke kërkuar themelimin e një Komisioni Hetimor Parlamentar për kontratat njëburimore.

“Në shtetin e Kosovës, 781 tenderë sekret janë dhënë për 3 vjet. Vlera e tyre është 209 milionë euro”, tha fillimisht Abdixhiku.

“I bie që çdo ditë pune, e hënë e premte, jepet një tender sekret. Një tender sekret në ditë pune. Dhe kjo praktikë po rritet. Vitin e parë ishin 30 milionë euro, vitin e dytë u bënë 70, vitin e tretë 109 milionë euro tender sekret”, shtoi.

Lideri i opozitës theksoi se atë që ka bërë partia që ai udhëheqë është kërkimi i listave të tenderëve sekret, dhe mes kësaj liste, sipas Abdixhikut, janë dy fenomene që dalin në pah.

“E para ka të bëjë me KEK-un, besoni ose jo plotë 112 herë ka bërë tenderë sekret. 13 herë një kompani ka marrë tender sekret, ose Ministrinë e Punëve të Brendshme, 15 milionë euro për shërbime të IT-së”.

“Nuk mund të thuash ka ndodhë më parë, po ndodh edhe me ne. Në qoftë se ka ndodhur më parë është gabim, është hajni, nëse ndodhë edhe tani është prapë hajni, dhe si herën e kaluar dhe si tani duhet të trajtohet në formë të barabartë”.

Ne e kemi një fenomen, vlerëson kreu i LDK-së, “209 milionë euro të parave janë dhënë sekret 781 herë”

“Të gjithë nuk përfundojnë në burg, përfundojnë ata që kanë dhënë tender te shokët e vet, mos i mbroni, është e kotë, s’ndalet do të bëhet vënie drite edhe për këtë fenomen”, shtoi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore