Kosova

Abdixhiku pyet Kurtin: Marrëveshja për energjinë a e legalizon ndikimin e Serbisë në Kosovë?


Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.

Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka dalur me një qëndrim pas marrëveshjes së nënshkruar për energjinë mes Kosovës dhe Serbisë.

Ai përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, ka thënë se Kurti duhet të jap përgjigje ndaj qytetarëve pasi në një kohë këto marrëveshje ishin kundërshtuar nga vetë ai.

“Por, Kryeministri Kurti në kohën kur ishin arritur këto dy marrëveshje, i kishte cilësuar si marrëveshje që legalizojnë ndikimin e Serbisë në Kosovë. Sot, qytetarët e Kosovës, duhet ta dëgjojnë nga vet ai, nëse këto dy marrëveshje, të pranuara pa asnjë ndryshim e të proklamuara me plot meritë, do ta legalizojnë apo jo ndikimin e Serbisë në Kosovë”.

Ai tutje ka sqaruar edhe rëndësinë e marrëveshjes së arritur.

“Qeveria e Kryeministrit Kurti sot nënshkroi udhërrëfyesin për zbatimin e marrëveshjeve energjetike për veriun e vendit. Ky udhërrëfyes përcakton implementimin e dy marrëveshjeve paraprake, të viteve 2013 e 2015 – të cilat Kosova asokohe i kishte lidhur me qëllim të ushtrimit të sovranitetit shtetar në gjithë territorin e vet”.

Lidhja Demokratike e Kosovës.

“LDK ka mbështetur në vijimësi dhe me konsistencë – dje dhe sot – marrëveshjet në interes të Kosovës, që kanë synuar ushtrimin e plotë të sovranitetit të Republikës së Kosovës në tërë territorin e saj”.

Marrëveshja e Brukselit për Energjinë mes Kosovës dhe Serbisë e arritur këtë të marte është e njëjtë me atë të vitit 2015 që ishte nënshkruar mes ish-kryeministrit Isa Mustafa dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

Atëkohë, VV-ja përmes një komunikate për media këtë ujdi e kishte cilësuar si të “dëmshme për Kosovën,” duke thënë se “e legalizon ndikimin e Serbisë”.

“Në paragrafin tjetër thuhet se Serbia konsideron që në pajtim me ligjin vendor dhe ndërkombëtar si dhe Rezolutën 1244, që prona brenda territorit të Kosovës është në pronësi të Serbisë, në rregullimin specifik krahinor dhe në pajtim të plotë me Kushtetutën e Serbisë”, thuhej në komunikatë.

Komunikata e Vetëvendosjes në vitin 2015.

Marrëveshja e nënshkruar, sipas zyrës përcakton detyrime specifike për të dyja palët.

Ndryshe, marrëveshja e nënshkruar sot në mes të Kosovës dhe Serbisë në sektorin e energjisë thotë se Zyra e Rregullatorit të Energjisë do t’i lëshojë një licencë furnizimi Elektrosever në pajtueshmëri me licencën e furnizimit, në përputhje me kornizën ligjore dhe rregullative të Kosovës.

Ujdia për energji e arritur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, këtë të martë të 21 qershorit, njofton se në rast të mospërputhjes me dispozitat e këtyre konkluzioneve të rëna dakord pas 100 ditësh nga lëshimi i licencës së furnizimit, ZRRE mund të vendosë të pezullojë ose të tërheqë licencën e furnizimit të dhënë për Eletrosever, në varësi të konsultimit ndërmjet palëve, të lehtësuar nga BE-je, gjatë një periudhe maksimale prej 15 ditësh.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore