Lajme

Vetëvendosje në vitin 2015: Marrëveshja me Serbinë për energjinë legalizon ndikimin e Serbisë


Marrëveshja e Brukselit për Energjinë mes Kosovës dhe Serbisë e arritur këtë të marte është e njëjtë me atë të vitit 2015 që ishte nënshkruar mes ish-kryeministrit Isa Mustafa dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

Atëkohë, VV-ja përmes një komunikate për media këtë ujdi e kishte cilësuar si të “dëmshme për Kosovën,” duke thënë se “e legalizon ndikimin e Serbisë”.

“Në paragrafin tjetër thuhet se Serbia konsideron që në pajtim me ligjin vendor dhe ndërkombëtar si dhe Rezolutën 1244, që prona brenda territorit të Kosovës është në pronësi të Serbisë, në rregullimin specifik krahinor dhe në pajtim të plotë me Kushtetutën e Serbisë”, thuhej në komunikatë.

Komunikata e Vetëvendosjes në vitin 2015

Po ashtu në reagim LVV-ja, pretendonte se “lidhur me çështjen e pronës brenda territorit të Kosovës që theksohet në këtë marrëveshje, “Qeveria e Kosovës ka pranuar që të jenë dy mendime të kundërta për pronësinë, mendime këto që kanë legjitimitet të barabartë dhe të plotë”.

Pavarësisht kësaj, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se “ky është rezultati i punës tonë të palodhshme dhe i qëndrimeve tona parimore në bazë të ligjit dhe kushtetutshmërisë së Kosovës, në bazë të rregullave tona ka ndodhur dakordimi më në fund për zbatim të udhërrëfyesit që do të mundësojë inkasimin e energjisë së shpenzuar në veri të lumit Ibër”.

Ndryshe, marrëveshja e nënshkruar mes të Kosovës dhe Serbisë në sektorin e energjisë thotë se Zyra e Rregullatorit të Energjisë do t’i lëshojë një licencë furnizimi Elektrosever në pajtueshmëri me licencën e furnizimit, në përputhje me kornizën ligjore dhe rregullative të Kosovës.

“Brenda shtatë ditëve nga lëshimi i licencës për furnizim, Elektrosever do t’i sigurojë KEDS-it dhe KOSST-it të dhënat më të fundit të disponueshme për konsumatorët”, thuhet në pikën e dytë të marrëveshjes së arritur.

Ujdia për energji e arritur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, këtë të martë të 21 qershorit, njofton se në rast të mospërputhjes me dispozitat e këtyre konkluzioneve të rëna dakord pas 100 ditësh nga lëshimi i licencës së furnizimit, ZRRE mund të vendosë të pezullojë ose të tërheqë licencën e furnizimit të dhënë për Eletrosever, në varësi të konsultimit ndërmjet palëve, të lehtësuar nga BE-je, gjatë një periudhe maksimale prej 15 ditësh.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore