Lajme

Abdixhiku: LDK është gati për zgjedhje, me program e organizim


Foto: Lumir Abdixhiku

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka thënë se partia që ai udhëheqë është gati në të gjitha format për zgjedhje të reja, derisa ka kritikuar qeverisjen aktuale që drejtohet nga Albin Kurti.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë Abdixhiku përmes një postimi në Facebook, ku ka thënë se mobilizimi i LDK-së po merr formë, pas takimit me kryetarët e degëve të kësaj partie.

“Në takimin e përbashkët me Kryetarët e Degëve, shtruam si diskutim kalendarin e takimeve në Kosovë dhe mërgatë; përgatitjet organizative për zgjedhjet nacionale, diskutimet finale për listën e deputetëve dhe hapjen e mëtutjeshme të LDK-së ndaj secilit të djathtë që ndanë vizion të njëjtë me këtë shtëpi të demokracisë”, shkroi Abdixhiku.

Lideri i opozitës theksoi se “të gjendur përballë perdes së populizmit e propagandës; të ballafaquar me arrogancën e pushtetit; të përballur me sulmet përditshme ndaj themeleve tona të shtetësisë, Republika e Kosovës dhe populli ynë, po shndërrohen në pengje kolektive të zymtësisë e paaftësisë”.

“Kjo zymtësi”, sipas tij, e “ka mbyllur Kosovën”, dhe “kjo paaftësi ka zbrazur Kosovën”.

Ai vlerësoi se “kambanat tona po bien”, prandaj, sipas kreut të LDK-së, “veprimi ynë duhet të pasojë tani”.

“Në një fat të tillë politik, aktivizimi ynë individual e i përbashkët është domosdoshmëri. Lidhja është gati. Me program, me ide, me njerëz profesionist – tani dhe me organizim!”.

Ndryshe, në kushte normale zgjedhjet e ardhshme parlamentare duhet të mbahen në fillim të vitit 2025, mirëpo janë shtuar zërat – edhe nga eksponentë të pushtetit, pra Lëvizjes Vetëvendosje – se ato mund të mbahen edhe më herët.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore