Lajme

Abdixhiku, Kurtit: S’jeni më kryetar partie, sillu si i tillë


Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, në fjalën e tij në seancën ku pritet të votohet Qeveria e re, tha se politikën e shohin si cikël ku asgjë nuk është e përhershme.

Abdixhiku ka thënë se pas votimit të qeverisë, Kurti duhet të ketë të qartë një sërë çështjesh, përfshirë atë se nuk është më lider opozitar.

“Sjellja e shumicës ndaj atyre që mendojnë ndryshe nga ta përcakton edhe zërin e përbashkët të shoqërisë tonë. Kryeministri i ri që do të zgjedhet sot duhet t’ia kujtojë vetes së nga nesër nuk është më drejtues partiak”, ka thënë Abdixhiku.

“Nga dita e parë e punës duhet të sillet me dinjitet. Arroganca e numrave na shpie tek polarizimi i mëtejmë shoqëror që tash e sa kohë nuk e lë vendin të marrë frymë lirë. Kosovës i duhet stabilitet. Tre palë zgjedhje në katër vjet kanë prodhuar pasiguri të madhe në vend”.

Ai tha se partia e tij, LDK-ja, do të mbajë rol opozitar dhe do të jetë kërkues, refuzues e kritik në secilin proces politik dhe “do jemi zë mbrojtës”.

“Si opozitë synojmë të kontribuojmë stabilitet. LDK me 15 deputetët e saj do të mbajë rol opozitar, konstruktiv në procese nacionale. Në skenën e madhe të politikës ju [qytetarët] na keni dhënë vend të qartë në opozitë. Do të mbesim zë mbrojtës i pa kompromis i shtetësisë së Kosovës”.

Po ashtu, Abdixhiku tha se Kosovës i duhet stabilitet politik dhe si opozitë do të kontribuojnë në këtë stabilitet.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore