Lajme

Abdixhiku kërkon nga Sllovakia njohjen e Kosovës


Lumir Abdixhiku dhe Rastislav Kostilník

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, të mërkurën ka pritur në takim shefin e Zyrës Ndërlidhëse të Sllovakisë në Prishtinë, Rastislav Kostilník, ku ndër të tjera kanë diskutuar edhe për situatën aktuale politike në Kosovë, zhvillimet e fundit si dhe qëndrimet e LDK-së karshi këtyre proceseve.

Kreu i LDK-së, sipas njoftimit për media të subjektit më të vjetër politik në vend, ka kërkuar nga Sllovakia të marrë “hapin formal” drejt njohjes së Kosovës, duke marrë për bazë faktin se shteti sllovak është ndër vendet e Bashkimit Evropian (BE) që nuk e kanë njohur Kosovën, përfshirë Greqinë, Rumaninë, Spanjën dhe Qipron.

“Po ashtu kryetari Abdixhiku shprehu mirënjohje për rolin e zyrës ndërlidhëse sllovake njëkohësisht i bëri thirrje Sllovakisë që ta marrë hapin formal drejt njohjes së Kosovës si dhe shprehu bindjen se një njohje nga shteti sllovak do të mirëpritej nga qytetarët e Kosovës, do t’i ndihmonte forcimit të marrëdhënieve bilaterale si dhe stabilitetit të rajonit”, thuhet në njoftimin e LDK-së.

Kërkesa e Kosovës për njohje ekziston në Bratislavë prej shumë vitesh. Qeveria e Sllovakisë gjithashtu është treguar mjaft e hapur për bashkëpunim, duke pritur delegacione kosovare dhe duke bërë shpesh vizita zyrtare në Prishtinë. Çështja e Kosovës ngritet shumë shpesh në agjendën e politikës së jashtme sllovake.

Abstenimi i Sllovakisë në Këshillin e Evropës (KiE) kur Komiteti i Ministrave kishte votuar pro vendimit që t’ia përcjellin Asamblesë Parlamentare (APKE) kërkesën për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë, ka konfirmuar se Sllovakia është shtet me qëndrim “më të butë” krahasuar me shtetet e tjera mosnjohëse brenda BE-së dhe NATO-s.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore